Telegrafi

Xavi flet për vendimin e Barcelonës për të mos bërë ankesë ndaj gjyqtarit pas polemikave në ndeshjen kundër Interit

Trajneri i Barcelonës, Xavi ka thënë se katalanasit nuk do ta raportojnë gjyqtarin Slavko Vinçiçin në UEFA pas polemikave të VAR në ndeshjen e Ligës së Kampionëve kundër Interit të martën.

Gjigantët e La Ligës u tërbuan me gjyqtarin slloven që nuk dha një penallti të vonuar për katalanasit në San Siro të martën mbrëma.

Denzel Dumfries dukej se e kishte prekur topin me dorën e djathtë, por 42-vjeçari nuk u kërkua të bënte një rishikim në VAR, duke zemëruar Xavi dhe anëtarët e stafit të Barcelonës.

Kishte raportime se Barcelona do t’i drejtohej UEFA-s, por Xavi konfirmoi sot se nuk do të bëjnë këtë gjë.

“Ne folëm për këtë dhe vendosëm të mos e bëjmë atë. Kam folur me presidentin, por edhe me Rafan, Jordin dhe Mateun dhe morëm këtë vendim së bashku. Unë tashmë jam ankuar dhe është gjë e rrallë për mua”, ka thënë Xavi në konferencë për shtyp sot.

Ish-mesfushori konfirmoi se Frankie de Jong do të jetë i disponueshëm për ndeshjen e dytë në Nou Camp të mërkurën.

Nesër Barcelona do të përballet me Celta Vigon./Telegrafi/