Ish mesfushori sulmues i Feronikelit, Hamed Kone, është zyrtarizuar si përforcim i skuadrës zvicerane Neuchatel Xamax.
Shtatshkurtri që luajti te Feronikeli për gjashtë muaj ka gjetur klub të ri.
Klubi zviceran ka njoftuar për nënshkrimin me lojtarin, por ia ka ‘huqur’ klubit të fundit.
“Ky mesfushor sulmues, i shkurtër (1m68) dhe ka një teknikë të shkëlqyeshme të topit. Në moshën 30-vjeçare, ai është shumë i shpejtë dhe nuk ka frikë nga duelet kur goditet në mbrojtësit kundërshtarë”.
“Hamed Kone është i martuar dhe ka tre fëmijë. Ai ka bërë karrierë në Akademinë Jean-Marc Guillou në Abidjan. Pastaj vazhdoi të luajë në Japoni (divizioni i dytë), Rumaninë (divizioni i parë) dhe Emiratet e Bashkuara Arabe (divizioni i parë). Vitin e kaluar ai u transferua në Shqipëri në Kategorinë 1”, thuhet në njoftimin e klubit.
Kone kurrë nuk ka luajtur në Shqipëri. Lojtari megjithatë është ndarë i kënaqur që ka nënshkruar për klubin zviceran.
Klubi e ka zyrtarizuar edhe mbrojtësin e Kosovës U-21, Arbenit Xhemajlin.
Ai ka zhvilluar disa ndeshje nën drejtimin e Rafet Prekazit, ku është treguar shumë i suksesshëm. /Telegrafi/