Will Smith ka dhënë dorëheqje nga Akademia e Arteve dhe Shkencave të Filmit pas goditjes me shuplakë që ia bëri Chris Rockut në “Oscars 2022”.
Smith njoftoi dorëheqjen e tij në një deklaratë të bërë ditën e premte për Fox News dhe tha se ‘e ka tradhtuar besimin e Akademisë’.
“Unë i jam përgjigjur drejtpërdrejt njoftimit të seancës disiplinore të Akademisë dhe do t’i pranoj plotësisht të gjitha pasojat për sjelljen time. Veprimet e mia në prezantimin e 94-të të çmimeve Oscar ishin tronditëse, të dhimbshme dhe të pafalshme”, tha Will.
“Lista e atyre që i kam lënduar është e gjatë dhe përfshin Chris, familjen e tij, shumë nga miqtë dhe më të dashurit e mi, të gjithë të pranishmit dhe audiencën globale në shtëpi. Unë e tradhtova besimin e Akademisë”, vazhdoi Smith.
Smith shtoi se ai “privoi të nominuarit dhe fituesit e tjerë” nga shansi i tyre për të festuar dhe për këtë do të pranojë çdo pasojë të mëtejshme nga Bordi.
David Rubin, president i Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Filmit tha në një deklaratë se ka pranuar dorëheqjen e Smith dhe do të vazhdojë të ecë përpara me procedurat disiplinore kundër aktorit.
“Ne kemi marrë dhe kemi pranuar dorëheqjen e menjëhershme të zotit Will Smith nga Akademia e Arteve dhe Shkencave të Filmit. Ne do të vazhdojmë të ecim përpara me procedurat tona disiplinore kundër Smith për shkelje të Standardeve të Sjelljes së Akademisë. Takimi i planifikuar i bordit më 18 prill”, tha Rubin.
“Ndryshimi kërkon kohë dhe unë jam i përkushtuar të bëj punën për të siguruar që kurrë të mos lejoj më dhunën të kapërcejë arsyen”, theksoi 53-vjeçari.
Goditja e yllit të “I Am Legend” ndaj Chris u bë pasi ky i fundit u tall me kokën e rruar të gruas të tij, Jada Pinkett Smith, për të cilën thuhej se nuk ishte në dijeni se vuante nga alopecia. /Telegrafi/