Shqiptarja e famshme, Rita Ora, është paraqitur në skenën e vendosur në sheshin “Skënderbeu” të Prishtinës.
Mijëra njerëz janë mbledhur në kryeqytet për ta përcjellë koncertin madhështor, në të cilin ylli kryesor i mbrëmjes është këngëtarja e lindur në Prishtinë.
Pas atmosferës të krijuar nga yjet vendore, në skenë doli këngëtarja shqiptare me famë botërore.
“I Will Never Let You Down” ishte kënga hapëse e koncertit të shumëpritur të 27-vjeçares.
Më pas ka vazhduar me këngën kushtuar vendlindjes së saj, “Shine Ya Light”.
Para se të fillonte interpretimin, Rita i tha publikut se kjo këngë u kushtohej atyre.
Kryeministri Ramush Haradinaj ka qenë ai që ka njoftuar daljen në skenë të këngëtares.
“Kosovë urime dhjetëvjetorin. Shqiptarë urime! Rita Ora është me ju, Urime!” ka thënë kreu i Qeverisë para ngjitjes së Ritës në skenë.
Koncerti i Rita Orës është organizuar në kuadër të aktiviteteve të shumta për të shënuar dhjetëvjetorin e Pavarësisë së Kosovës. /Telegrafi/