Telegrafi

Wilder thotë se do ta kishte mposhtur edhe Mike Tysonin në kulmin e karrierës së tij

Mike Tyson, Deontay Wilder (Foto: Getty Images/Guliver)

Deontay Wilder e ka përsëritur deklaratën e tij se do ta kishte nokautuar edhe Mike Tysonin në kulmin e karrierës së legjendës, duke qenë se e ka instinktin vrasës.

Bomberi i Bronztë do të kthehet në ring të shtunën mbrëma (22 shkurt) për ta mbrojtur titullin WBC kundër Tyson Furyt në Las Vegas, ndërsa pohon se do të triumfonte dhe ndaj Tysonit “origjinal”.

“Shpejtësia e duarve të mia, janë shumë të gjata, jam shumë i lartë, atleticizmi im, lëvizja me këmbë, të gjitha këto më japin përparësi, luajnë një rol të madh”.

Mike Tyson(Foto: Omar Vega/HUBLOT via Getty Images/Guliver)

“Me respektin më të madh për Mike Tyson, në kohën e tij, ai ka qenë më i miri. Por tash është një epokë e re. Asnjë boksier i stilit të vjetër nuk mund ta mposhtë një boksier të stilit të ri. Shikoni çfarë teknologjie kemi”.

“Askush nuk e ka instinktin natyral vrasës ashtu si e kam unë, askush nuk mund të më nokautojë. Kam shumë vetëbesim për atë që them dhe për atë që flas se e bëj”, ka deklaruar Wilder për EsNews.

Kampioni i WBC-së e ka thënë edhe në vitin 2018 se do ta kishte nokautuar Mike Tysonin. Ndërsa në një deklaratë më të re, 53-vjeçari është shprehur se i pëlqen që Deontay mendon se do ta kishte mposhtur, pasi edhe ai mendon se do të kishte triumfuar ndaj kampionit të tanishëm. /Telegrafi/

Deontay Wilder (Foto: Kevork Djansezian/Getty Images/Guliver)