Deontay Wilder ka lënë të kuptohet se dëshiron të ndeshet me Anthony Joshuan në të ardhmen, gjatë konfirmimit të duelit të tij me Dominic Breazeale.
Kampioni i WBC-së do ta mbrojë titullin e tij më 18 maj në Barclays Center të New Yorkut kundër Breazeale, i cili ka vetëm një humbje (nga Anthony Joshua).
Nuk ka dyshim se e gjithë bota e boksit e do meçin ndërmjet Wilderit dhe Joshuas që mund t’u sjellë përfitime mbi 100 milionë dollarë dy kampionëve të botës – ndërsa për këtë gjë është i vetëdijshëm edhe boksieri amerikan.
“Të gjithë duan ta shohin duelin e madh. Nuk ka nevojë të them se çfarë është ajo përballje, por të gjithë e dinë se çfarë është”.
“Por, fillimisht, janë disa gjëra që duhet t’i bëjmë. Ai (Breazeale) është sfidues i detyrueshëm dhe nuk mund ta anashkaloj. Duhet t’i marrim duelet një nga një, prandaj shijojeni këtë”, ka thënë Wilder. /Telegrafi/