Deontay Wilder ka qeshur me deklaratat e Tyson Furyt se do ta nokautojë kampionin e botës në rimeçin mes tyre që zhvillohet të shtunën mbrëma (në mëngjesin e të dielës me kohën tonë) në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Boksieri amerikan do ta mbrojë titullin WBC edhe një herë kundër britanikut në përballjen që zhvillohet në MGM Grand Garden Arena të Las Vegasit.
Dueli i tyre i parë, i zhvilluar në dhjetor të vitit 2018, kishte përfunduar me barazim, ndërsa Fury duket se ka më shumë vetëbesim para meçit të dytë ndaj Bomberit të Bronztë. Tyson madje është zotuar se do ta nokautojë kampionin e pamposhtur.
“Kam mendje të fortë dhe mjekër shumë të fortë. Ai mund të flasë çfarë të dojë, por në fund do të duhet të përballet me faktet dhe realitetin”.
“Mezi pres t’ia prezantoj faktet dhe realitetin me grushtet e mia”, ka deklaruar Wilder, i cili e rrëzoi dy herë Furyn në duelin e tyre të parë, por nuk arriti ta nokautojë.
Kësaj radhe, të dy boksierët kanë shtuar në peshë dhe pritet një përballje akoma më e fuqishme mes tyre.
“Nëse do të vazhdojë të ngritet, unë do të vazhdoj ta rrëzoj. Do të vijë momenti kur ai do të mendojë për goditjet dhe do ta kuptojë se nuk ia vlen të çohet më. Jam i sigurt për këtë”, ka shtuar kampioni i WBC-së. /Telegrafi/