Pasi Mark Breland e hodhi peshqirin duke e dorëzuar meçin e Deontay Wilder ndaj Tyson Fury, u raportua se me këtë rast, ai e kishte ‘hedhur’ edhe punën e tij.
Mirëpo, boksieri amerikan ka deklaruar të premten se ka ndërruar mendim. Njeriu që i dha fund zyrtarisht duelit për titullin WBC që e fitoi boksieri britanik, do të mbetet pjesë e ekipit të 34-vjeçarit.
“Unë jam luftëtar. Ndihem njësoj si në mbrëmjen e duelit. Nëse më duhet të dal, do të dal me mburojën time”.
“Por, e kuptoj se këndi im dhe ekipi im e ka prioritet më të mirën time. Mark Breland është akoma pjesë e ‘ekipit Wilder’”, ka deklaruar amerikani për ESPN.
Nëse Breland nuk do ta dorëzonte meçin, Deontay që ishte i lënduar dhe nuk e mbante baraspeshën, me shumë mundësi do të përfundonte me nokaut. Sidoqoftë, ai ia ka bërë të qartë ekipit se duhet t’u bindet dëshirave të tij.
“I kam thënë ekipit tim që kurrë, kurrë, pavarësisht se si mund të duket, të mos e hedhë peshqirin, sepse unë jam diçka tjetër. Kisha edhe pesë raunde. Nuk ka rëndësi se si dukesha, isha akoma në duel”.
“E kuptoj se ai po kujdesej për mua dhe u përpoq ta bënte atë që ka menduar se ishte gjëja e duhur, por kjo është jeta ime dhe karriera ime, dhe ai duhet t’i pranojë dëshirat e mia”, ka shtuar më tej Wilder. /Telegrafi/