Telegrafi

Wilder e sfidon Joshuan për titullin e të padiskutueshmit

Deontay Wilder, Anthony Joshua (Fotomontazh: Getty Images/Guliver)

Deontay Wilder e kë vënë në dyshim dëshirën e Anthony Joshuas për t’u përballur me amerikanin, por ka thënë se është në pritje të një kundërshtari që e vë në garë titullin ashtu siç bën kampioni i WBC-së.

Amerikani i pamposhtur do ta zhvillojë rimeçin ndaj Luis Ortiz (mëngjesin e të dielës me kohën tonë), ndërsa dy javë më pas, AJ do të përpiqet t’i kthejë titujt (IBF, WBA e WBO) nga Andy Ruiz Jr.

Wilder dëshiron t’i unifikojë titujt në një kampion të padiskutueshëm në vitin 2020, ndërsa në një prononcim për Sky Sports ka dhënë opinionet e tij rreth kësaj teme.

Deontay Wilder (Foto: David A. Smith/Getty Images/Guliver)

“Do të preferoja që të fitonte Ruiz Jr, sepse jemi në të njëjtin fiksim. Nëse ai fiton, e kemi mundësinë t’i unifikojmë divizionet. Më në fund do ta kemi mundësinë ta kemi një kampion, një fytyrë, një emër”.

“Nëse fiton Joshua, nuk mendoj se do të ndodhë. Ai ka thënë se nuk ka interesim që të përballet me mua”, ka deklaruar Wilder duke thënë se beson në triumfin e Ruiz.

“E dua unifikimin. Divizioni i kategorisë së peshave të rënda është shumë i vogël për të pasur aq shumë kampionë. E kuptoj kur kjo ndodh në klasët më të ulëta. Por, divizioni i peshave të rënda ka të bëjë me të mëdhenjtë, me fuqinë. Është divizion i veçantë”, ka shtuar kampioni. /Telegrafi/