Dillian Whyte ka thënë se ka pasur arsye të shumta për t’u pensionuar gjatë karrierës së tij. Këto komente i ka bërë para duelit të fundjavës kundër Oscar Rivas që zhvillohet në O2 Arena të Londrës.
31-vjeçari ka tejkaluar një lëndim serioz të shpatullës dhe ka mposhtur shumë boksierë që nga humbja e tij nga Anthony Joshua.
Edhe pse i ka fituar 25 nga 26 duelet e tij profesionale dhe ka qëndruar në krye të renditjeve të WBC-së, atij akoma nuk i është dhënë mundësia që të luftojë për titull.
Ai ka thënë se ka mundur të dorëzohet për shkak të mungesës së shanseve në nivelin më të lartë, mirëpo e di se duhet pasur durim.
“Në jetë, jo gjithmonë e merr atë që e meriton ose atë për çfarë angazhohesh. Nuk bën të heqësh dorë. Po të kisha atë qëndrim, nuk do të isha këtu. Pas humbjes nga Joshua dhe të gjitha ngritjeve dhe rënieve që kam pasur në boks, tashmë do t’i kisha dhënë fund gjithçkaje”.
“Kam pasur shumë arsye dhe arsyetime për t’u tërhequr, të gjitha duelet, të gjitha vuajtjet, por akoma po vazhdoj. Kur një derë mbyllet, hapet një tjetër”.
“Për të qenë një top-konkurrues, për të qenë një kampion, të gjitha këto janë pjesë të ndërtimit”, ka deklaruar Whyte, i cili humbjen e vetme profesionale e ka nga Joshua, ku pësoi me nokaut në dhjetor të vitit 2015. /Telegrafi/