Boksieri në kategorinë e peshave të rënda, Dillian Whyte, nuk i jep asnjë shans Deontay Wilderit në duelin e trilogjisë kundër Tyson Furyt.
Në dhjetor të vitit 2018, dy boksierët u ndanë baras në Staples Center të Los Angelesit, ndërsa në shkurt të këtij viti, britaniku e mposhti amerikanin me nokaut teknik në raundin e shtatë në MGM Grand në Las Vegas duke ia rrëmbyer titullin WBC.
Pas humbjes së parë në karrierë, Wilder e aktivizoi klauzolën në marrëveshje për rimeçin e tretë ndërmjet dy boksierëve të kategorisë së peshave të rënda.
Whyte është sfidues i detyrueshëm i titullit WBC dhe pritet të ndeshet me fituesin e trilogjisë në vitin 2021. Derisa Deontay ka premtuar se do të hakmerret, mirëpo Dillian nuk beson se do të ndodhë diçka e tillë.
“Çfarë do të ndryshojë (nga meçi i mëparshëm)? Ai i ka bërë të njëjtat gjëra ndër vite. Është boksier agresiv në sulm, por nuk mund të ndeshet në mbrojtje”.
“Ai as që ka mësuar të marrë pikë. Ai nuk di as të kapet si duhet. Është vetëm dora e djathtë ajo që ka. Deontay Wilder do të pësojë sërish rrahje”, ka deklaruar Whyte për William Hill. /Telegrafi/