Dillian Whyte ka folur lidhur me triumfin e tij ndaj Dereck Chisoras duke thënë se e kishte pritur momentin për ta rrëzuar kundërshtarin e tij.
Në meçin e zhvilluar në O2 Arena të Londrës, Whyte fitoi me nokaut në raundin e 11-të dhe dueli i tij i ardhshëm mund të jetë me Anthony Joshuan.
“E lëndova në raundin e parë dhe thashë me vete relaksohu. E dija se do të vinte (nokauti). Ai vazhdonte ta bëjë të njëjtin gabim, sillej rrotull dhe endej”
“Ajo (goditja finale) ishte goditje parash, gjithmonë do ta jap në momentin e duhur. Unë jam një luftëtar, doja t’i jepja fund, por vazhdoja ta mbaja ritmin, e dija që do të vinte. Unë jam numri 1 zemër”, ka thënë Whyte lidhur me përballjen ndaj Chisoras.
Në ndërkohë, me këtë fitore, ai është bërë kandidat potencial për t’u përballur me kampionin e unifikuar Anthony Joshua dhe nuk i ka zgjedhur fjalët për të.
Ai i është drejtuar kampionit të IBF, WBA dhe WBO, në mënyrë ofenduese duke thënë se ai e ka radhën.
“E dua atë copë m*** atje! Le të ndeshemi!”, ishin fjalët e 30-vjeçarit drejtuar AJ.
Kujtojmë që Joshua e ka zgjedhur datën 13 prill 2019 për meçin e radhës në Wembley, mirëpo akoma nuk ka vendosur se cili do të jetë kundërshtari i tij. /Telegrafi/