Timo Werner beson se Chelsea mund ta fitojë Ligën e Kampionëve këtë sezon për shkak të orarit të ngarkuar në ndeshjeve në Evropë.
Si pasojë e pandemisë së coronavirusit dhe shtyrjes së fillimit të sezonit, përballjet janë duke u zhvilluar shumë shpesh, ndërsa Blutë kanë një skuadër të madhe falë investimit prej 220 milionë funtesh (244 milionë euro).
Dhe sulmuesi gjerman që po përgatitet për ndeshjen ndaj Rennes që zhvillohet sonte (e mërkurë) beson në suksesin e klubit anglez në garën më të madhe evropiane.
“Secila skuadër në Evropë po luan çdo tri ditë. Është vështirë. Por, ne kemi një ekip të madh me lojtarë të mirë”.
“Mendoj se duke pasur këtë duhet ta kemi për qëllim që të shkojmë shumë larg në këtë garë. Nuk jemi këtu për të thënë: ‘Do të shkojmë në fazën tjetër dhe do të shohim’ – jemi këtu për ta fituar Ligën e Kampionëve brenda viteve në vijim”.
“Dhe këtë vit është një mundësi e mirë, sepse të gjithë në këtë garë kanë shumë ndeshje. Të gjitha skuadrat duhet të mendojnë se si do t’i menaxhojnë, me kë të luajnë dhe sa ndeshje mund t’i zhvillojnë radhazi. Kam ardhur këtu për të fituar tituj”, ka deklaruar Werner në konferencën për shtyp. /Telegrafi/