Telegrafi

Weber: Po punojmë për liberalizimin e vizave për Kosovën

Kryetari i Grupit të Partisë Popullore Evropiane (EPP) në Parlamentin Evropian, Manfred Weber,  pas takimit me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa tha se pret që një gjeneratë e re të udhëheqë Kosovën.

Drejtuesi i PPE theksoi se ai nuk mund të komentojë marrëdhëniet midis Vetëvendosjes dhe LDK të cilët po negociojnë për formimin e Qeverisë së re pas zgjedhjeve të parakohshme të mbajtura në tetor, transmeton Telegrafi.

“Nuk më takon mua të komentoj marrëdhëniet midis Vetëvendosjes dhe LDK, sepse kjo është një çështje politike në lidhje me Kosovën. Është e rëndësishme që Kosova të udhëhiqet nga një gjeneratë e re”, tha Weber.

Ai shprehu keqardhje që qytetarët e Kosovës ende nuk mund të lëvizin pa viza në Evropë.

“Ne e dimë që kosovarët janë të zhgënjyer nga vizat, jemi penduar që fatkeqësisht kosovarët ende nuk mund të lëvizin pa viza. Ne jemi duke punuar në këtë drejtim”, tha Weber. /Telegrafi/