Vetëvendosje nëpërmes një komunikate ka thënë se iu është imponuar dhunshëm vendosja e fotografisë së Hashim Thaçit në sallën e Kuvendit të Komunës.
“Sot derisa po pritej të vazhdonte mbledhja e rregullt e Kuvendit Komunal të Malishevës, grupi i asamblistëve të PDK-së tentoi që dhunshëm ta vendosë fotografinë e Hashim Thaçit në ambientet e sallës së Kuvendit Komunal. Mirëpo, ata nuk arritën ta realizonin skenarin e tyre i cili synonte të sillte dhunë në sallën e kuvendit pasi që hasën në kundërshtim të asamblistëve përfshirë ata të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Kryetarit të Komunës dhe qytetarëve që nuk lejuan një gjë të tillë”, ka shkruar Vetëvendosje.
Mënyra dhe logjika e veprimit të asamblistëve të PDK-së, sipas Vetëvendosjes, ngjasonte me ditën kur Thaçi arriti të votohej si president duke anuluar demokracinë, duke nxjerrë dhunshëm nga Kuvendi dhe duke arrestuar deputetët e opozitës.
“Qytetarët e Malishevës e kanë bërë të qartë se nuk njohin për president një individ karriera politike e të cilit është e përshkuar me kompromise dhe marrëveshje anti-shqiptare ndaj Serbisë nga njëra anë dhe me dhunë krim e korrupsion ndaj popullit të vet. Ashtu siç e kemi thënë më parë vazhdojmë ta themi edhe sot që Hashim Thaçi nuk është dhe kurrë nuk do të jetë president i Republikës së Kosovës”, thuhet në tej nga VV, teksa shton se nuk do ta pranojmë e njohin asnjëherë si president të Republikës së Kosovës.
“Do ta kundërshtojmë vazhdimisht dhe pa kompromis ashtu siç e kundërshtuam sot tentim vendosjen e dhunshme të fotografisë së pasardhësit politik të Rrahman Morinës”, përfundon VV.