Lëvizja Vetëvendosje në komunën e Gjilanit, sot ka mbajtur një aktivitet simbolik si dhe konferencë për media, në të cilën ka paralajmëruar se do të kërkojë shkarkimin e kryetarit të kësaj komune nga radhët e LDK-së, Lutfi Haziri.
VV në aktivitetin e sotëm ka ironizuar me kryetarin e komunës së Gjilanit, duke vendosur një afishe në qytet, para Teatrit të Gjilanit, e në të cilën afishe shkruan “Mirënjohje për Lufti Hazirin”.
Kjo mirënjohje, sipas VV-së, i ndahet Hazirit nga NASSA dhe pason mirënjohjen që Haziri së fundi ka thënë se ka marrë nga Departamenti Amerikan i shtetit, respektivisht presidenti amerikan Donald Trump, për “kontribut në komunitet”.
Aktivistë të VV-së e kanë quajtur Hazirin mashtrues dhe ia kanë numëruar të gjitha dëmet që ai, sipas tyre, ia ka shkaktuar komunitetit në Gjilan.
Aliu tha se çmimit për Hazirin iu bashkohen edhe arrestimet e dy drejtorëve të komunës së tij, atij të Inspektimit dhe Urbanizimit si dhe aktakuza ndaj drejtorit të shërbimeve publike.
Në fund të konferencës, Nehat Osmani, i cili është ushtrues detyre i kryetarit të Degës së VV-së, në Gjilan ka treguar për gazetarët se në javën e ardhshme si grup i asamblistëve në Gjilan do të kërkojnë seancë të jashtëzakonshme e ku do të kërkohet shkarkimi i Hazirit për të gjitha mashtrimet që po ia bënë qytetarëve. /Telegrafi/