Site icon Telegrafi

VV: Shoku ynë, aktivisti shembullor, Astrit Dehari, nuk është më mes nesh

Lajmin për vdekjen e Astrit Deharit, e ka konfirmuar edhe Lëvizja Vetëvendosje.

Lexo po ashtu Të gjitha lajmet rreth Astrit Deharit dhe vdekjes së tij tragjike

“Shoku ynë, aktivisti shembullor, Astrit Dehari, ka humbur sot jetën tragjikisht në moshën 26 vjeçare. Të gjithë ne e kemi gati të pamundur ta besojmë vdekjen e tij që na ka tronditur e na ka pikëlluar thellë në shpirt. Në këto momente tejet të rënda, Lëvizja VETËVENDOSJE! gjendet pranë familjarëve dhe miqve të ngushtë të Astritit, gjendemi sot pranë njëri-tjetrit ne që e kishim atë shok dhe vëlla, ne që do ta kujtojmë atë përherë me dashuri.

Astriti u shua tepër herët. Ai ishte në përfundim të studimeve për mjekësi në Universitetin e Prishtinës. Me jetën dhe përkushtimin e tij ndaj çështjes shqiptare, ndaj popullit tonë, ndaj studimeve, ndaj shokëve dhe shoqeve, dhe ndaj familjes së tij, Astriti na ka dhënë të gjithëve forcë dhe frymëzim. Në shembullin e jetës dhe përkushtim të tij ne sot gjejmë forcën ta bëjmë të pamundurën ta ngushëllojmë sado pak familjen e tij dhe veten teksa ende e kemi vështirë ta besojmë se ai nuk do jetë më në mesin tonë.

Për të gjithë aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, për familjarët, shokët dhe shoqet e Astritit, ai po largohet nga kjo jetë si hero i popullit për të cilin ai nuk u kursye kurrë. Si hero do ta përcjellim në banesën e tij të fundit, si hero do ta kujtojmë përgjithmonë”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/

Exit mobile version