Site icon Telegrafi

VV: Rrezikojmë të mbesim pa profesionistë shëndetësorë

Lëvizja Vetëvendosje, në Ditën Ndërkombëtare të Shëndetësisë, të premten, ka drejtuar kritika ndaj institucioneve të Kosovës, duke thënë se si rezultat i paaftësisë së tyre vendi rrezikon të mbetet pa profesionistë shëndetësorë.

Nënkryetarja e kësaj Lëvizjeje, Fatmire Kollçaku, tha se studentët e mjekësisë për shkak të mungesës së kushteve janë të detyruar që pas përfundimit të studimeve të dalin jashtë vendit.

Ajo në këtë drejtim ka përmendur edhe faktin se për shkak të mungesës së kushteve vetëm në tri vjetët e fundit nga Kosova janë larguar 400 mjekë, trend ky që vazhdon të jetë në rritje.

“Paaftësia e pushtetarëve, orientimi i tyre vetëm në plotësimin e nevojave të veta dhe njerëzve të afërt me ta, ktheu klimën e mosbesimit dhe depresionit kolektiv në vend. Ikja e qytetarëve në mënyrë masovike nga vendi nuk e kurseu as sektorin e shëndetësisë. Ju e dini se kemi një vërshim të pacientëve dhe të sëmurëve nga Kosova dhe kjo është për keqardhje. Përderisa kemi ikjen e pacientëve dhe të sëmurëve jashtë vendit në njërën anë dhe ikjen e profesionistëve shëndetësorë, ku vetëm në tri vitet e fundit kanë ikur rreth 400 profesionistë shëndetësorë dhe ky është trend në rritje dhe kjo tregon se do të kemi problem në sigurimin e profesionistëve shëndetësorë”, tha ajo.

Kollçaku theksoi se buxheti që ndahet për sektorin e shëndetësisë asnjëherë nuk ka shënuar rritje të theksuar dhe se në tërë periudhën e pasluftës ka qenë vetëm një shumë modeste e ndarë për këtë sektor, gjë e cila sipas saj tregon se politikat e qeverisë asnjëherë nuk kanë qenë largpamëse.

“Përkundër faktit se kjo qeveri ka proklamuar një rritje të buxhetit ku në tërësi është paraparë të jenë 180 milionë euro për të gjitha shpenzimet, mund të themi se as për së afërmi kjo shumë nuk do të përmbushë kërkesat, e në veçanti duke e parë se zbatimi i Ligjit për shëndetësi pothuajse është duke vonuar shumë dhe mbledhja e premiumeve a do të jetë e mundur ashtu siç e kanë paraparë me një vonesë shumë të madhe prej dy viteve”, tha ajo.

Me këtë rast, po ashtu, u përmend fakti se 90% e punëtorëve shëndetësorë punojnë në kushte të vështira, me paga të ulëta dhe pakënaqësi të shumta me ç’rast nuk kanë as mundësi të zhvillimit profesional.

Ndërkaq, deputetja e VV-së, Besa Baftiu foli për sigurimet shëndetësore, për të cilat tha se Qeveria nuk është as për së afërmi që të fillojë me mbledhjen e premiumeve, siç po pretendojnë.

Baftiu shtoi se Kosova është i vetmi vend në rajon që nuk ofron sigurime shëndetësore për qytetarët e saj.

“Nuk është e mundur të fillojë mbledhja e premiumeve, ashtu siç pretendon Qeveria. Po ashtu, Ligji për shëndetësinë e qytetarëve të Kosovës e obligon qeverinë të përmbushë disa parakushteve përpara se të fillohet mbledhja e premiumeve. Këto janë: Duhet të bëhet lista e shërbimeve, lista e çmimeve për çdo shërbim, licencimi i çdo punëtori shëndetësor, licencimi i institucioneve shëndetësore, duhet protokollet e trajtimit të sëmundjeve, sistemi i monitorimit, udhërrëfyesi klinik, kështu që nuk mjafton vetëm miratimi i ligjit në Kuvend edhe ashtu i vonuar”, tha Baftiu.

Baftiu tha se Lëvizja Vetëvendosje ka thirrur në interpelancë kryeministrin Isa Mustafa, me ç’rast është arritur një rezolutë me të cilën janë pajtuar shumica e grupeve parlamentare.

“Është pikërisht kjo rezolutë që obligon Qeverinë e Kosovës të përmbushë parakushtet e parapara për ligjin për sigurinë shëndetësore, para se të fillojë mbledhjen e premiumeve pasi që ende pa filluar implementimi për sigurime shëndetësore ai duhet të ndryshohet”, u shpreh Baftiu.

Ndryshe, Lëvizja Vetëvendosje shprehet skeptike për Ligjin mbi Sigurimin Shëndetësor, në rast të fillimit të implementimit të tij pa përmbushjen e parakushteve të parapara.

Exit mobile version