Koordinatores së Komiteteve dhe anëtares së kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Dejona Mihali i është ndaluar hyrja në Kosovë.
Lajmin e ka bërë të ditur Vetëvendosje përmes një njoftimi për media, ku edhe ka kaërkuar që ky urdhër ndaj Dejona Mihalit të heqet.
“Dejona Mihali është mbajtur për disa orë në kufi, dhe më pas është kthyer në Shqipëri, pasi i është komunikuar një urdhër për ndalim të hyrjes në territorin e Kosovës, pa afat.
Policia kufitare i ka marrë direktivat drejtpërdrejt nga Ministria e Brendshme, dhe komunikimi është kryer në prani të Dejona Mihalit. Është për t’u vënë në dukje se urdhri për ndalimin e hyrjes në territorin e Kosovës është lëshuar në shkurt, por prej asaj kohe e deri sot Dejona Mihali nuk është vënë kurrë në dijeni për ekzistencën e këtij urdhri, as zyrtarisht e as në ndonjë mënyrë tjetër”, thuhet në njoftim.
Vetëvendosje ka theksuar se ky vendim është arbitraritet i pushtetit të Thaçit, Mustafës dhe i Veselit i cili po e bën Kosovën një vend pa të drejta demokratike e civile, po e shpërfaq si një tirani despotësh të vegjël, që të vetmin funksion e kanë servilizmin ndaj ndërkombëtarëve, Serbisë e mafias.
Njoftimi i plotë:
Kërkojmë heqjen e urdhrit që ndalon hyrjen e Dejona Mihalit në Kosovë
Sot, më 18 korrik 2016, rreth orës 07:30 është ndaluar të hyjë në Kosovë Dejona Mihali, Koordinatore e Komiteteve dhe anëtare e kryesisë të Lëvizjes VETËVENDOSJE!
Dejona Mihali është mbajtur për disa orë në kufi, dhe më pas është kthyer në Shqipëri, pasi i është komunikuar një urdhër për ndalim të hyrjes në territorin e Kosovës, pa afat.
Policia kufitare i ka marrë direktivat drejtpërdrejt nga Ministria e Brendshme, dhe komunikimi është kryer në prani të Dejona Mihalit. Është për t’u vënë në dukje se urdhri për ndalimin e hyrjes në territorin e Kosovës është lëshuar në shkurt, por prej asaj kohe e deri sot Dejona Mihali nuk është vënë kurrë në dijeni për ekzistencën e këtij urdhri, as zyrtarisht e as në ndonjë mënyrë tjetër.
Ky vendim arbitrar është marrë pa u bazuar në asnjë ngjarje faktike, në asnjë ligj dhe pa asnjë vendim gjyqësor. Ky arbitraritet i pushtetit të Thaçit, Mustafës dhe i Veselit po e bën Kosovën një vend pa të drejta demokratike e civile, po e shpërfaq si një tirani despotësh të vegjël, që të vetmin funksion e kanë servilizmin ndaj ndërkombëtarëve, Serbisë e mafias.
Ndalimi i Dejona Mihalit i shtohet deportimit të Boiken Abazit dhe Arbër Zaimit, si një fushatë sistematike që qeveria e Kosovës e ka ndërmarrë ndaj veprimtarëve të Lëvizjes që janë nga Shqipëria. Reagimet e zbehta të qeverisë së Shqipërisë na bëjnë të pandehim se kjo fushatë kriminale e arbitrare është e koordinuar mes dy qeverive.
Në vizionin e despotëve bashkimi kombëtar është bashkim i forcave të regresit, i mafias, i dallaverexhinjve, i dhunës, i krimit e i servilizmit. Në vizionin tonë bashkimi kombëtar është bashkim i popullit, i prodhuesve, i qytetarëve të ndërgjegjshëm, i kulturës, i dinjitetit e mbi të gjitha bashkim kombëtar i idealit.
Ai kufi ka qenë armik i idealistëve e i dëshmorëve që na e prunë lirinë, ai kufi është dhe armiku jonë. Ai kufi ka qenë i ashpër ndaj atyre që e deshën këtë vend, ai kufi është sot i ashpër ndaj nesh. Atë kufi e mbrojtën me gjak ushtarët e Titos e të Rankoviçit, e të njëjtët e mbrojnë dhe sot.
Kërkojmë heqjen e menjëhershme të urdhrit të ndalimit për Dejona Mihalin dhe ndalje të persekutimit të aktivistëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! nga Republika e Shqipërisë, përndryshe kjo qeveri do të mbajë një vulë të madhe turpi, e do ta paguajë rëndë përballë historisë.