Përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje kanë komentuar raportin e progresit të Komisionit Evropian, ku kanë kritikuar Qeverinë e Kosovës, se ka punuar në kundërshtim me linjën e reformave evropiane, duke ndërmarrë masa të pamenduara dhe të paplanifikuara por të ndikuara nga interesa të veçanta.
Ata kanë kritikuar edhe masat në sistemin e drejtësisë, zhvillimin ekonomik, mjedisin dhe ambientin dhe mos respektimin e të drejtave të njeriut.
Deputetja e VV-së, Fitore Pacolli në një konferencë për media ka folur për raportin për vendet e Ballkanit perëndimor dhe pakon e zgjerimit 2019, tha se për dallim nga vendet tjera të cilat u theksua për përparimet që kanë bërë në rrugën integruese, Kosovës iu përsëriten dështimet dhe u theksuar se mungon vullneti politik për avancimin e rrugës së saj integruese.
“Në këtë raport nuk lexohet për sakrificat e punëtorëve dhe studentëve dhe as për arritjen e studentëve e sportistëve tanë por për dështimet pandemike qeveritare. Në shpërputhje me synimet dhe pritjet e qytetarëve, Qeveria ka punuar në kundërshtim me linjën e reformave evropiane. Me veprime dhe masa të ma menduara dhe të paplanifikuara dhe të ndikuara nga interesa të veçanta. Madhësia e qeverisë, numri i madh iu ministrave dhe zëvendësministrave ka ndikuar negativisht në efikasitetin e punës së Qeverisë. Administrata vazhdon të përdoret si pronë private për interesa të partive politike e të familjarëve të tyre, pa marrë parasysh përgatitjet profesionale“, ka thënë ajo.
Ajo shtoi se qytetarët e këtij vendi vazhdojnë të mos kenë besim në institucionet e drejtësisë. Sipas saj, shqetësuese mbetet ndërhyrja e politikës. Ndërsa, shtoi se më shumti e ndjen qytetari i Kosovës, është korrupsioni.
“Deri më sot ka vetëm 51 raste të regjistruara, nga to 38 aktakuza, 27 raste të lidhura me korrupsion dhe 11 me krim të organizuar. Vetëm në 9 prej tyre ka pas vendim përfundimtar dhe pesë prej tyre kanë përfunduar me vendimin final pjesërisht të fajshëm, që do të thotë vetëm 9 individë janë dënuar për korrupsion dhe krim të organizuar. Konfiskimet përfundimtare kanë rënë ndjeshëm“, tha Pacolli, duke shtuar se kishte shumë pak hetime financiare.
Kurse, Edison Jakupi u ndal te këndvështrimi i Komisionit Evropian mbi ekonominë, duke thënë se raporti paraqet distancën në mes Kosovës dhe BE-së, ku po rikujtohet se sa pak zhvillim kemi pasur.
Ai ka numëruar ngecjet në zhvillimin ekonomik, të cilat i thekson raporti, derisa tha se një qeveri e re do të duhej të merr disa masa.
“Synimi i saj duhet të jetë ndryshimi paradigmatik i ekonomisë, ku ndalet dhe hetohet privatizimi, ku fondi sovran koordinon ndërmarrjet publike, ku banka zhvillimore financon projekte kapitale me synim punësimin, ku Banka Qendrore riorganizon dhe rirregullon sektorin financiar, ku ristrukturohen skemat tatimore, ristrukturohen programet për mbrojtje sociale, rimëkëmbet Trepça, rimendohet energjia dhe ruhet ambienti“, ka thënë Jakupi.
Përndryshe, deputetja Fitore Pacolli u ndal edhe te cilësia e ajrit dhe ujit, menaxhimin e mbeturinave dhe mos respektimin e të drejtave të njeriut, ku përmendi depërtimin e shtetasve turk dhe lirinë e mediave./kp/