Lëvizja Vetëvendosje përmes një postimi në llogarinë zyrtare në Facebook ka kërkuar nga Prokuroria e Shtetit që sa më shpejtë të i dorëzohet familjes së Astrit Deharit, ekspertiza që është kryer në Zvicër.
LVV në këtë postim thekson se edhe pse Prokuroria dhe Ministria e Drejtësisë duhet të kishin njoftuar opinionin publik me kohë për arritjen e këtij raporti, vetëm pas kërkesave të njëpasnjëshme të avokatit mbrojtës e përfaqësuesit ligjor i familjes si dhe kërkesave të familjes Dehari, më në fund sot u deklaruan për pranimin e raportit të lartcekur.
Vetëvendosje kërkon nga Prokuroria e Shtetit që ta publikojë raportin në versionin origjinal dhe të përkthyer në gjuhën shqipe.
“Edhe pse Prokuroria dhe Ministria e Drejtësisë duhet të kishin njoftuar opinionin publik me kohë për arritjen e këtij raporti, vetëm pas kërkesave të njëpasnjëshme të avokatit mbrojtës e përfaqësuesit ligjor i familjes si dhe kërkesave të familjes Dehari, më në fund sot u deklaruan për pranimin e raportit të lartcekur. Kërkojmë nga Prokuroria që sa më parë t’i përgjigjet kërkesës duke ia dorëzuar Familjes Dehari dhe përfaqësuesit ligjor e avokatit mbrojtës të familjes Dehari, raportin në gjuhën origjinale. Si dhe ta publikojë atë në versionin origjinal dhe të përkthyer në gjuhën shqipe”, thekson Vetëvendosje.
Ndryshe kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Admir Shala ka bërë të ditur sot gjatë një konference për media, se kanë marrë nga Instituti zviceran ekspertizën për rastin e Astrit Deharit.
Shala bëri të ditur se ende nuk dihet përmbajtja e saj.
“Sot kemi pranuar raportin përfundimtar të ekspertizës së rastit të Astrit Deharit nga Instituti në Lozanë të Zvicrës. Nuk e dimë çka ka përbrenda, sot është dorëzuar në Prokurorinë e Shtetit. Ne këtë do t’ia dorëzojmë prokurorit të rastit që do ta hapë dhe do të dorëzohet për përkthim”, ka thënë Shala.