Site icon Telegrafi

VV prishi koalicionin me PDK-në në Gjilan, Haziri: LDK do të jetë opozitë agresive

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka reaguar pas prishjes së koalicionit qeverisës mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike në Gjilan, duke thënë se ka qenë e pritshme.

Në një reagim të bërë në Facebook, Haziri ka deklaruar se LDK-ja do të jetë “opozitë agresive e këtij pushteti që projektet e Gjilanit po i konsideron si të huaja!”.

“Zhvillimet në Komunën e Gjilanit kanë qenë të befasishme, por gjithashtu edhe të pritshme nga ana jonë. Kjo për shkak se koalicioni i ndërtuar VV-PDK në Gjilan, nuk ishte ndërtuar në bazë të një programi për Gjilanin e zhvilluar, por për interesa personale e partiake”, ka shkruar ai.

Lexo po ashtu Prishet koalicioni i VV-së me PDK-në në Gjilan, Hyseni tregon arsyen

Më tej, ish-kryetari i Gjilanit ka thënë se dalja e PDK-së nga koalicioni dhe deklaratat e tyre pas daljes nga ky koalicion, tregojnë se mundësia për të bashkëpunuar me të parin e ekzekutivit për të mirën e përbashkët publike, ka qenë minimale apo s’ka ekzistuar fare.

“Edhe njëherë para jush, konfirmoj qëndrimin e LDK-së se jemi opozitarë deri në fund të këtij mandati, duke mos shprehur gatishmërinë për bashkëqeverisje me partinë në pushtet. LDK do të jetë opozitë agresive e këtij pushteti që projektet tona po i konsideron si të huaja”.

“14 këshilltarët tanë pasqyrojnë shumicën e qytetarëve në Kuvendin Komunal, dhe presim që ky besim qytetar të respektohet nga Kryesuesi i Kuvendit, duke liruar pozitën e të parit të Kuvendit që me legjitimitet i takon Lidhjes Demokratike të Kosovës”, është shprehur Haziri.

Në të kundërtën, ai ka thënë se LDK-ja gjatë javës së ardhshme do të fillojë me procedurat e nevojshme për marrjen e mandatit që i takon, në koordinim me partnerët opozitarë dhe partinë e sapo dal në opozitë.

“Gatishmëria jonë për të kontribuar në një bashkëpunim që do të sillte politika të mira e zhvillimore për komunën nuk ka munguar asnjëherë, por gjithmonë në bazë të parimeve të demokracisë, ligjshmërisë dhe politikave të duhura për qytetarët”, ka përfunduar ai./Telegrafi/

Exit mobile version