Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (VV), Visar Ymeri, ka theksuar se dënimi i katër aktivistëve të VV-së, me 20 vjet burgim, nga Gjykata Themelore, ka dëshmuar se kemi të bëjmë më një gjykim politik.
Ai këto komente i ka bërë gjatë një konference, për rastin e dënimit të katër aktivistëve të saj.
Aktivistët e lëvizjes Vetëvendosje të akuzuar për sulmin me mortajë dore ndaj ndërtesës së Kuvendit, janë shpallur fajtor. Frashër Krasniqi është dënuar me 8 vjet burgim. Atdhe Arifi është dënuar me 6 vjet burgim. Egzon Haliti me 5 vjet e gjashtë muaj, si dhe Adea Batusha me 2 vjet burgim.
Më tutje Ymeri ka thënë se me këtë vendim po tentohet të arsyetohet marrja e jetës se ish-aktivistit të VV-së, Astrit Dehari.
“Ky vendim nuk sjellë drejtësi, por synon ta mbulojë vdekjen e astritit. Vet data kur është marrë vendimi – dy ditë para 19 nëntorit – garës së balotazhit, tregon se synimi është që të dëmtohet VV-ja. Ky fakt e dëshmon se sa politik dhe aspak i drejtë është vendimi i gjykatës. Ky vendim e dëshmon qartë sa thellë dhe rrezikshëm është kapur shteti dhe se sa i ngutshëm po bëhet ndryshimi në këtë republikë”.
Sipas Ymerit, me 19 nëntor do të shtohet angazhimi i Lëvizjes, duke shtuar se i fton të gjithë anëtarët e VV-së, që të mos e humbin fokusin, sepse lufta politike kundër VV-së po zhvillohet nën petkun e gjyqësorit.
“Do t’i përgjigjemi me më shumë mobilizim politik, duke e ditur se kjo betejë është më e afërta në mesin e betejave tona”, ka shtuar ai.
E deputeti i VV-së, Dardan Molliqaj, ka thënë se ky rast do të përfundojë më pafajësinë e aktivistëve të kësaj lëvizje.
Sipas tij, ka mundur gjithësecili prej anëtarëve të VV-së të dënohet, duke shtuar se qëllimi është i qartë – dëmtimi i lëvizjes.
“Ky tentim ju ka dështuar. Pushteti kishte tentuar edhe vitin e kaluar, me arrestimin e aktivistëve tonë, por përgjigja e popullit u dha me 12 qershor. Sa më shumë që arrestonin njerëz të pafajshëm, populli ishin afër nesh”, ka shtuar Molliqaj.
Sipas tij, të gjithë ata që kanë dyshime, le t’i marrin procesverbalet e seancave gjyqësore, ku secili dëshmitar e ka deklaru të kundërtën e asaj që pretendon gjykata.
“Nuk kemi dëshmitar që e fajëson VV-në. Dëshmitari kryesor që e ka shitë motorin deklaron publikisht se ‘unë nuk mund ta identifikoj që këta në sallë janë blerësit e motorit’. Një dëshmitar nëse thotë që aktivistët tonë janë të përfshirë në vepër terroriste, ne marrim përgjegjësi. Nuk ka asnjë raport që ka thënë fjalën më të vogël që aktivistët tonë kanë lidhje me rastin”, ka shtuar Molliqaj. /Telegrafi/