Telegrafi

VV paralajmëron rivendosjen e flamurit dhe tabelës në kufi me Malin e Zi

As heqja e flamurit e as nota e protestës nga Mali i Zi duket se nuk do ta zmbrapsin Lëvizjen Vetëvendosje.

Simbolin kombëtar dhe mbishkrimin “Mirë se vini në Republikën e Kosovës”, përfaqësues të këtij subjekti politik thonë se do ta vendosin prapë, aty ku sipas tyre, është kufiri i vërtetë me shtetin malazez, raporton KTV.

Por, nënkryetari i Vetëvendosjes, Driton Çaushi, ka thënë se Vetëvendosja nuk do t’i mbrojë ato, duke thënë se një gjë e tillë është përgjegjësi e shtetit, e jo e Vetëvendosjes.

Çaushi ka komentuar edhe notën e protestës nga Mali i Zi. Ai thotë se është për keqardhje fakti se si një veprimi të tillë të malazezëve, një ditë më pas, nuk i është përgjigjur me të njëjtën notë edhe Qeveria e Kosovës.

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, nëpërmjet një komunikate për media, e ka cilësuar notën e protestës si veprim të ngutshëm nga Mali i Zi, e pa ndonjë arsye serioze për t’u shqetësuar.

Mirëpo, sipas MPJ-së, rastet e tilla nuk i cenojnë marrëdhëniet e shkëlqyera që Kosova i ka me Malin e Zi.