Site icon Telegrafi

VV: Nuk ka para për Ligjin e Pagave, Hamza të tregojë ku do t’i marrë ato

Lëvizja Vetëvendosje ka dalë në mbështetje të punonjësve shëndetësorë, pasi konsideron se këta të fundit u mashtruan nga Qeveria për rritje të pagave, kur sipas Vetëvendosjes dihet se kjo e fundit nuk mund të zbatojë ligjin.

Nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollçaku, tha në një konferencë për media se ishte vendimi i njëanshëm për rritjen e pagave të qeveritarëve, që nxiti grevat e kirurgëve, grevën në arsim dhe atë të minatorëve.

Sipas saj, është e rrugës që ministri i Financave, Bedri Hamza, të dalë dhe të tregojë se ku do t’i marrë mjetet për të mbuluar pagat.

“Ne këtu para qytetarëve të Kosovës me përgjegjësi të plotë themi që projektligji për paga është e pamundur, nëse miratohet në Kuvend këtë vit, që të zbatohet brenda këtij viti, sepse nuk ka buxhet të paraparë për këtë ligj. Ftoj në emër të Qeverisë ministrin e Financave që të del atë ditë në seancë dhe para publikut të gjerë që do ta përcjellë seancën, të deklarojë ku do t’i merr mjetet për zbatimin e ligjit për paga sepse këto mjete nuk i kanë paraparë në projektligjin për pagat. Ky është mashtrim për të cilin ka kaq pakënaqësi në shtetin tonë”, tha ajo.

Duke e quajtur të pavolitshme situatën në të cilën ndodhet shëndetësia, Kollçaku u shpreh se Qeveria duhet të takohet për të biseduar me mjekët.

Sipas saj, grevës së kirurgëve, sot i janë bashkuar edhe mjekë të tjerë, përfshirë Ortopedinë, para-klinikat dhe Spitalin e Ferizajt.

“Kjo grevë po përshkallëzohet dhe obligim i jonë si deputetë të Parlamentit të Republikës të Kosovës është që të brengosemi për qytetarët tonë. Pasojat e kësaj greve i vuajnë të sëmurët, i vuajnë pacientët të cilët i drejtohen Klinikës Universitare dhe aty tashmë mbi 1 mijë operacione janë anuluar, ambulancat specialistike nuk punojnë dhe siç e dini po trajtohen vetëm rastet urgjente. Ne me përgjegjësi të plotë themi se nuk është faji për këtë që po ndodhë i mjekëve. Pikërisht është faji i kësaj Qeverie, e cila menjëherë pas marrjes së mandatit, vendimin e parë të rëndësishëm ishte rritja e njëanshme e pagave për vete”, u shpreh ajo.

Kollçaku tha se një diferencë kaq e madhe e pagave të larta të qeveritarëve me mjekët dhe punonjësit tjerë, është papërgjegjësi e plotë. /KP /Telegrafi/

Exit mobile version