Në selinë e Parlamentit Evropian në Strasburg, gjatë mbledhjes së II-të të Komisionit Parlamentar për Stabilizim Asocim BE-Kosovë, e cila po mbahet në Strasburg, Komisioni i përbashkët KPSA (Komisioni parlamentar për Stabilizim Ascocim) në kuadër të rekomandimeve votoi unanimisht amendamentin për rastin e aktivistit politik Astrit Dehari.
Kështu njoftoi lëvizja Vetëvendosje.
Amendamenti 22:
“Ka shprehur ngushëllime familjes dhe shokëve dhe shoqeve të aktivistit të ri politik, z. Astrit Dehari, i cili vdiq në paraburgim nën rrethana të dyshimta dhe ka kërkuar nga autoritetet kompetente të hetojnë tërësisht të gjitha rrethanat e vdekjes së tij, duke përfshirë çfarëdo pretendimi të përdorimit të tepruar të forcës nga cilido zyrtar i zbatimit të ligjit, si dhe përgjegjësinë e mundshme të institucioneve shtetërore; ka theksuar se nëse ndonjë vepër e gabuar ka ndodhur, është dashur të ndiqej dhe të dënohej rëndë si shembull”.
Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje Visar Ymeri dhe Donika Kadaj të cilën po marrin pjesë në këtë mbledhje kanë folur edhe për dështimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë dhe për përndjekjen që u bëhet aktivistëve politikë, thuhet në njoftim.
Ata po ashtu kanë kërkuar edhe lirimin e pesë aktivistëve që vazhdojnë të mbahen në burg padrejtësisht. /Telegrafi/