Telegrafi

VV: MTI ta publikojë gjithë skandalin e ndërrimit të njehsorëve në Kosovë

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pas deklaratës së djeshme së Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, e cila sqaroi të gjithë procesin e rrugëtimit të këtyre njehsorëve (AEL.TF.04-1), duke thënë se kjo çështje është në procedurë.

“Pas denoncimit të Komitetit për Energjitikë lidhur me njehsorët elektronikë Kohler AEL.TF.04-1 që ende vijojnë të përdoren për faturimin e energjisë, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë përgjegjëse për këtë çështje reagoi duke u justifikuar me parullën “mos ndërhyni në procesin gjyqësor”.

Së pari, këtë reagim drejtuar qytetarëve MTI duhet ta kishte bërë në kohë e jo pas denoncimit tonë. Sepse ata po paguajnë faturat pa qenë të siguruar se njehsorët masin saktë.

Së dyti, në këtë reagim MTI nuk i mohon faktet e paraqitura së me njehsorët e pasaktë vijohet të mbushen faturat e qytetarëve dhe as nuk sqaron se kur qytetarëve do t’u kompensohet dëmi.

Së treti, këtu nuk është fjala për procesin gjyqësor por për të drejtën e panegociushme dhe të menjëhershme të qytetarëve për shërbim korrekt. Ftesa për neutralitet asnjëherë në respekt të gjyqësorit nuk mund të përdoret për vazhdimin e abuzimit ndaj paguesve të energjisë në vendin tonë.

Së katërti, pas vendimit të dhjetorit 2014 për heqje të licencës për përdorim të njehsorëve Kohler AEL.TF.04-1 nga Turqia duhej që:

a. MTI të vijonte kontrollin dhe testimin për njehsorët e tjerë të së njëjtës kompani. Ta bënte publik këtë për të gjithë qytetarët. Si dhe të sigurohej që për të gjithë njehsorët e rinj të hetohej/vlerësohej nga instancat e specializuara sipas standardeve të BE-së.

b. MTI është e vetëdijshme se procesi gjyqësor me kompaninë e njehsorëve dhe zyrtarët e MTI-së, do të zgjatet, si pasojë duhej të kërkonte nga KEDS-i, edhe ende duhet, që t’u sigurohej sipas procedurave matje e rregullt konsumatorëve të cilët kishin pësuar nga kjo aferë e shkaktuar nga vetë MTI.

MTI duhet të tregojë publikisht se nuk i ka kërkuar certifikim me standarde të BE-së kompanisë turke Kohler, (që çuditërisht kishte fituar tenderin edhe pse në garë kishte kompani franceze, sllovene, kroate, çeke, hungareze) por ka pranuar certifikatë të laboratorit të vetë kompanisë.

I bëjmë me dije Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë se për papërgjegjësi të saj punëtorë të KEDS-it janë larguar nga puna padrejtësisht vetëm pse e kanë paraqitur këtë problem e plotë të tjerë përballen me ankesat edhe në gjykata si pasojë e pasaktësive të njehsorëve.

Edhe pse KEDS është ndërmarrje private përgjegjësia ndaj punëtorëve është institucionale e publike. Ky është shembulli se si mund të katandiset sistemi publik e sidomos ai me karakter te monopolit natyror nëse privatizohet.

Ndërsa nuk janë identifikuar plotësisht përgjegjësit e keqpërdorimit të pozitës, e ata nuk janë punonjës të thjeshtë dhe nuk gjenden vetëm në sektorin e metrologjisë. Dhe kjo nuk është vetëm punë e gjyqësisë por dhe Qeverisë.

MTI është zënë sërish në shpërfillje të interesit qytetar. Por nëse nuk i ndërmerr masat për eliminimin e dëmeve të mundshme ndaj qytetarëve, nëse nuk i mbron ata që e kanë guximin ta denoncojnë gabimin e sistemit dhe dëmtimin e qytetareve dhe nuk i ndërmerr masat për përsëritjen e mundshme te gabimeve dhe dëmeve nuk mund të karakterizohesh përveç si bashkë pjesëmarrës me vetëdije në këtë proces të dëmshëm dhe korruptiv.

Së fundi, meqë Ministria e Tregtisë dhe Industrisë nisi të tregoj për këtë proces është e udhës të publikojë të gjitha dosjet dhe motivet e fillimit të këtij procesi plotësisht korruptiv të ndërrimit të njehsorëve në Kosovë. Këtë e ka detyrim ligjor dhe mbi të gjitha detyrim ndaj qytetarëve” (sic.), thuhet në reagimin e VV-së.