Telegrafi

​VV: Mosvotimi i marrëveshjes nga opozita për skemat sociale rëndon pozitën e Kosovës karshi Bankës Botërore

Lëvizja Vetëvendosje e ka quajtur befasues kundërshtimin e opozitës për të votuar marrëveshjen ndërkombëtare në mes Qeverisë së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për projektin e reformës në sistemin e ndihmës sociale.

Deputeti i kësaj partie, Armend Muja, tha se dështimi për të votuar këtë marrëveshje e rëndon pozitën e Kosovës karshi Bankës Botërore.

“Për herë të parë është refuzuar një marrëveshje ndërkombëtare me Bankën Botërore për reformën e skemave sociale. Ka qenë projekt i filluar në vitin 2019. Mjerisht është rrëzuar sot nga PDK e LDK”.

“Qeveria Kurti e sheh jetike këtë marrëveshje. Në kuadër të këtij projekti ka qenë i paraparë të zgjerohet baza e asistencës sociale dhe e dyta, ata që janë në skemën sociale të ndihmohen për t’u aktivizuar në tregun e punës”.

Mes tjerash, ai ka thënë se opozita ka një kontradiktë sepse “thotë që ka krizë e Qeveria s’po bën asgjë e në anën tjetër kanë bllokuar çdo përpjekje tonën”.

Edhe Fatmire Kollçaku, kryetare e Komisionit për Shëndetësi nga Lëvizja Vetëvendosje, ka thënë se është befasuar që kjo marrëveshje nuk ka marrë miratimin e deputetëve opozitarë.

“Jam befasuar për të keq duke parë 24 vota kundër të opozitës për këtë marrëveshje, nga e cila do të përfitonin shumë njerëz që janë në nevojë. Kemi një varfëri ekstreme. Kjo është dëshpëruese. Qytetarët e kanë të qartë që shumë deputetë nuk punojnë në të mirë të vendit”. /Telegrafi/