Site icon Telegrafi

VV: Kompania e mikut të Enver Hoxhajt merr edhe 9 milionë nga MSH-ja

Lëvizja Vetëvendosje ka folur edhe një herë rreth sistemit informativ shëndetësor, duke thënë se kompania e mikut të Enver Hoxhajt, Ymer Shahini, i cili kërkohet nga FBI për keqpërdorime, ka nënshkruar kontratë të re me Ministrinë e Shëndetësisë në vlerë 9 milionë euro.

Sipas LVV-së, një kontratë e tillë me kompaninë “Printpek” ka shkaktuar dëme ekonomike duke keqpërdorur paranë publike, dhe duke dëmtuar të gjithë sistemin shëndetësor. LVV tha se vazhdimi i kontratës, përveç dëmit financiar, minon përfundimisht skemën e sigurimeve shëndetësore.

Mirsad Shkreta nga Lëvizja Vetëvendosje, përsëriti edhe një herë se tenderin në vlerë prej 1.5 milion euro, ish-ministri Enver Hoxhaj ia ka dhënë mikut të tij, Ymer Shahinit, që sipas Lëvizjes, është i kërkuar nga FBI për keqpërdorime.

Ai tha se është dashur të ketë një reagim nga Ministria e Shëndetësisë lidhur me këtë çështje.

“Kemi shpalosur dy dëme që ka shkaktuar kjo kontratë; dëmin ekonomik, në kuptimin e keqpërdorimit të parasë publike, dhe pjesën shëndetësore e cila kryesisht ka dëmtuar komplet sistemin shëndetësor. Në vend që të kishim një reagim Ministria e Shëndetësisë, ajo që ka ndodhur këto ditë është vazhdimi i kontratës së re me të njëjtën kompani, me të njëjtin konzercium, e cila kap shifra mbi nëntë milionë. Në kuadër të këtij konzercium, prapë qëndrojnë të njëjtit njerëz të cilët janë të ndjekur nga FBI për keqpërdorime financiare”, ka thënë Shkreta.

Sipas tij, shqetësuese është edhe mundësia e fillimit të mbledhjes së premiumeve shëndetësore, meqë siç tha ai, premiumet nuk mund të fillojnë të mblidhen derisa nuk ekziston një listë e shërbimeve që ofrohen.

LVV tha se ndjehet e shqetësuar me këtë situatë që skemat korruptive po favorizojnë biznese të lidhura me politikanët dhe në këtë mënyrë po mundësojnë mungesën e një sistemi informative shëndetësor. /Telegrafi/

Exit mobile version