Site icon Telegrafi

VV: KQZ të numëroj sa më shpejt votat me kusht, PDK e LDK po shpërndajnë qëllimisht mjegull tek qytetarët

Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur një konferencë për media lidhur me procesin e zgjedhjeve të 19 nëntorit.

Kryetari i VV-së, Visar Ymeri tha se qytetarët më 19 nëntor dolën kundër klanit pronto dhe klanit pronto2 që është LDK-ja.

“Qytetarët kanë folur shumë qartë të dielën në të gjitha komunat e sidomos në të tri komunat që do të qeverisë LVV-ja”, ka thënë Ymeri.

Ai tutje ka shtuar se këto tri komuna do ta kenë rastin që përmes qeverisjes së VV-së të kenë një qeverisje të mirëfilltë.

Ymeri ka shtuar se 108 milion euro buxhet të këtyre tri komunave së bashku do të jenë të lira nga keqpërdori i matrapazëve, shkruan Telegrafi.

Ndërkaq nënkryetari i VV-së, Dardan Sejdiu theksoi se ka ekzistuar një koalicion i fshehtë në mes PDK-së dhe LDK-së i cili është bërë publik më 19 nëntor.

“Këtë koalicion e ka konfirmuar dje edhe shefi i shtabit të PDK-së Abelard Tahiri në një intervistë në Klan Kosova ku thotë se ky koalicion i fshehtë ka funksionuar shumë mirë”, ka thënë Sejdiu.

Ai ka prezantuar edhe një herë mesazhin e zëvendësministrit Bujar Cakollit i cili është dhe Sekretar i Partisë Demokratike të Kosovës ku u shkruan të tjerëve që të angazhohen sa më shumë për të dalë në votime kundër Shpend Ahmetit.

Sejdiu dhe Ymeri i kanë bërë thirrje KQZ-së që të numëroj sa më shpejtë votat me kusht.

“Kërkojmë nga KQZ-ja që të numëroj sa më shpejtë votat më kusht që ti bëhet më e lehtë dhimbja që ka PDK-ja në humbjen e Jerusalemit dhe dhimbjen që e ka LDK-ja për humbjen e Prishtinës”, ka thënë Sejdiu.

Krejt në fund ata kanë thënë se fitorja e Shpend Ahmetit është e qartë, dhe se zvarritja e këtij procesi është e qëllimshme që të shpërndahet mjegull tek qytetarët. /Telegrafi/

Exit mobile version