Site icon Telegrafi

VV kërkon lirimin e aktivistëve: Shteti duhet dhe do të mbajë përgjegjësi për burgosjen e tyre

Aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë dorëzuar sot zyrtarisht në Pallatin e Drejtësisë shkresën lidhur me provat materiale që sipas tyre dëshmojnë se aktivistët e kësaj lëvizje që po mbahen në burg nuk kanë qenë në vendin e ngjarjes në natën kur ndodhi sulmi ndaj Kuvendit të Kosovës.

Aktivisti Valdrin Ahmeti ka thënë para gazetarëve se përveç disa fotografive nga marketet dhe kamerat e sigurisë në bankomat, Hetuesia dhe Prokuroria nuk kanë asnjë provë materiale që do ti mbante aktivistët tanë 48 orë në burg e lëre më 95 ditë siç po ndodh, transmeton Telegrafi.

“Ne kërkojmë lirimin e menjëhershëm të aktivistëve tanë. Ky proces gjyqësor është i montuar politikisht. As Astriti i cili ka ndërruar jetë e as pesë aktivistët e tjerë nuk kanë qenë fare në vendin e ngjarjes në natën kur ka ndodhur sulmi në Kuvend. Shteti duhet të mbajë dhe do të mbajë përgjegjësi për burgosjen e tyre. Nuk do të ndalemi së kërkuari drejtësi për Astritin, për Kosovën dhe lirimin e aktivistëve tanë”, u shpreh Ahmeti.

Ai më pas ka shtuar se nëse Prokuroria ka heqë dorë nga zbardhja e sulmit në Kuvend, Vetëvendosje do të shkojë deri në fund./Telegrafi/

Exit mobile version