Site icon Telegrafi

VV: Jemi gati për përgjegjësi dhe ndryshime

Delegatët e Këshillit të Qendrës së Prishtinës së Lëvizjes Vetëvendosje, kanë mbajtur mbledhjen e radhës në të cilën janë zgjedhur strukturat e reja: Kryesia e Qendrës dhe delegatët në Këshillin e Përgjithshëm.

Në këtë mbledhje, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, foli për ndërlidhjen e organizatës me nivelin lokal. Ai tha se strukturat e reja që po zgjidhen janë të rëndësishme edhe për mbajtjen në kontroll të ekzekutivit.

“Unë jam i sigurt se Lëvizja! do të jetë e fuqishme, jo vetëm në Prishtinë, por në tërë Republikën e Kosovës”, tha ai. “Kemi shumë vite përpara që ta ndryshojmë bashkë Kosovën, ashtu siç po e ndryshojmë bashkë Prishtinën”.

Kurse, kryetari i Lëvizjes, Visar Ymeri, tha se VV është e gatshme për t’i bërë ndryshimet e nevojshme që qytetarët po i presin.

“Ne duhet të jemi të gatshëm që ta pranojmë qytetarin i cili i ka sytë kah ne. Prandaj, unë po e them që ne jemi gati. Jemi gati për përgjegjësinë që e kemi dhe jemi gati edhe për ta ndryshuar Republikën e Kosovës dhe për ta bërë këtë Republikë, Republikë të qytetarëve të barabartë, Republikë të barazisë, të sovranitetit dhe Republikë të bashkimit”, e përmbylli fjalën e tij Ymeri. /Telegrafi/

Exit mobile version