Site icon Telegrafi

VV-ja tregon problemet që sjellin kompanitë e licencuara për gjenerimin e energjisë së ripërtërishme

Lëvizja Vetëvendosje përmes një komunikate për media ka kujtuar se sot po mbahet mbledhja e bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë lidhur me kompanitë e licencuara për gjenerimin e energjisë së ripërtërishme.

Sipas LVV-së, ndikimi i rritjes së pjesëmarrjes së prodhimit të energjisë elektrike është i shumëfishtë.

“Në dekadat e fundit prodhimi i energjisë elektrike nga burimet e ripërtërishme ka marrë hov në vendet e BE-së, pra nga uji, era, dielli e biomasa. Edhe në Kosovë, në vitet e fundit janë dhënë një numër i konsiderueshëm i licencave për prodhimin e energjisë elektrike nga këto burime. Impakti pozitiv i rritjes së pjesëmarrjes së prodhimit të energjisë elektrike nga Burimet e Ripërtërishme të Energjisë (BRE) është i shumëfishtë, veçanërisht në mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit tonë”, thuhet në reagimin e VV-së.

Në komunikatë thuhet se Kosova ka marrë obligime edhe ndaj Komisionit Evropian dhe Traktatit të Energjisë që deri në vitin 2020, prodhimin e energjisë nga BRE ta rrisë në nivelin prej 25% të prodhimit të tërësishëm.

“Qeveria e Kosovës ka shkuar edhe më tej dhe këtë cak e ka rritur në mënyrë vullnetare në 29%. Llogaritjet e deritanishme na dëftojnë se arritja e këtyre caqeve të prodhimit të energjisë elektrike nga burimet e ripërtëritshme do të rrisë tarifat e energjisë elektrike me rreth 2% për konsumatorët fundor. Sigurisht, që çdokush do ta konsideronte të favorshme këtë rritje marrë parasysh ndikimin që ka në mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit tonë. Por, kjo storie e mirë, progresive, përfundon mu këtu. Nga këtu fillojnë të dalin në shesh, klientela e pushtetit, pazaret dhe abuzimet e drejtuesve ndër vite të ZRrE-s në këtë fushë, në dëm të interesit publik të qytetarëve tanë”, thuhet tutje. /Telegrafi/

Exit mobile version