Kryetari i Komisionit për Legjislacion, Adnan Rrustemi ka kërkuar tërheqjen e propozimit për ta shqyrtuar dhe miratuar në të dy leximet brenda ditës Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Kodit nr. 04/L-123 të Procedurës Penale, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin Nr. 06/L -091.
Kjo kërkesë e bërë nga Grupi Parlamentar i LVV-së, ka nxit reagimin e opozitës.
Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ka thënë se qeveria dhe deputetët e shumicës e po i lajthitin ata që të trajtojnë tema të rëndësishme siç është gjykimi në mungesë.
“E keni plotë gojën luftë kundër-korrupsionit dhe se këta kriminel të luftës t’i vendosni para drejtësisë edhe duke i dënuar në mungesë dhe pse po ndodhin çështje të tilla. Nuk është mirë me na vënë në lajthitje edhe neve shefave të grupeve parlamentare që trajtojmë tema të tilla kaq të rëndësishme. Në raste te tilla kërkojmë një koordinim dhe harmonizim më të mirë në mes të Qeverisë së Kosovës dhe mazhorancës në Kuvend”, ka thënë ai.
Më tutje Tahiri tha se situatat e tilla i humbin seriozitetin temave të rëndësishme siç është gjykimi në mungesë, shkruan Telegrafi.
Në anën tjetër, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi tha se është e pa kuptimtë tërheqja e VV-së, duke thënë se e përkrahin në procedurë të përshpejtuar.
“E përkrahim në procedurë të përshpejtuar të kalojë ky ligj, dhe këtu kemi pasoja se dy shtetas të Kosovës të vrarë dëme të mëdha njerëzore e materiale”, tha Gashi.
Po ashtu edhe shefi i GP-së së AAK-së Besnik Tahiri, pati kritika për këtë veprim të VV-së.
“Vijm në një situatë ku pas fjalimit të kryeministrit lidhet edhe një temë tjetër që është shumë përmbajtësore dhe shumë e dhimbshme për qytetarët, lidhet me përfaqësuesit e UNMIK-ut dhe nuk është diskutu në komision. Nuk e kuptojmë tash për me qit para aktit të kryer, për me e ndryshu me hek këtë procedurë. Njëherë e kërkoni votën për procedurë të përshpejtuar, pastaj kërkoni votën për një procedurë të rregullt”, tha Tahiri.
Ai tha se Qeveria ka qasja ad-hoc ndaj ligjeve.
“A po e shihni se nuk po dini, e keni qasjen ad-hoc, po merrni hygjym me vepru në ligje njësoj si në ligjin për zgjedhje nuk keni konsensus brenda vetes. Nuk jemi kundër jemi me ju mbështet tema që sjellin të vërtetën. Nëse ka qenë kërkesë e ministres është legjitime, po kjo nuk bëhet kështu me këtë ballafaqim por bëhet kur ulemi së bashku dhe e diskutojmë”, u shpreh Tahiri. /Telegrafi/