Site icon Telegrafi

VV fton femrat që t’i bashkohen

​Lëvizja Vetëvendosje ka folur sot për rolin dhe rëndësinë e femrës, duke thënë se pa përfshirjen e tyre në vendim-marrje, nuk mund të bëhen ndryshime në shoqëri. Në një tubim mobilizues për zgjedhjet e brendshme të këtij subjekti, anëtare të kryesisë së LVV-së, ftuan gratë që të bashkohen, për siç thanë ato, bërjen e Republikës.

Në këtë tubim, u tha se për të arritur barazinë në vendim-marrje, pikënisja është angazhimi dhe kontributi i përbashkët.

Duke folur për disa nga femrat që i janë bashkuar Vetëvendosjes në moshë shumë të re, nënkryetarja Aida Dërguti tha se ato janë të padukshme për opinionin, por të njëjtat kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për këtë lëvizje.

“Edhe pse u përpoqa të përmend disa nga gratë dhe vajzat e shumta, në asnjë moment të ardhjeve të tyre, nuk munda t’i ndajë gratë nga burrat, e djemtë nga vajzat. Sepse Lëvizja është e tillë, përgjatë gjithë ekzistencës së saj janë bashkë në angazhim e vendimmarrje, gratë e burrat, djem dhe vaj za. Për të arritur barazinë në vendimmarrje, pikënisja është angazhimi e kontributi i përbashkët. Ky angazhim është i domosdoshëm sot, kur Republika ndodhet mes dy rrugësh; bërjes apo zhbërjes së saj. Prandaj, ne do ta bëjmë Republikën e fëmijëve tanë duke u bashkuar sot më shumë se kurrw, sepse e ardhmja ndërtohet sot”, tha ajo.

Kryetarja e Sekretariatit të Gruas në Lëvizjen Vetëvendosje, Nazlije Balaj tha se LVV i sheh femrat si pjesë e barabartë të politikës.

“Të punojmë dhe të luftojmë për gratë dhe vajzat, të punojmë dhe të luftojmë kundër pa-barazive, dhe kjo punë nuk është individuale dhe nuk i takon vetëm një grupi të caktuar të shoqnisë. Kur them se nuk i takon vetëm një grupi të caktuar të shoqnisë, çdoherë e kam fjalën për gratë dhe vajzat, se ato janë një fuqi kolektive e cila fuqi nuk mund të paramendohet të mos jetë pjesë e barabartë e çdo ndryshimi. Prandaj, ndryshimet në vend dhe kudo, vijnë vetëm me pjesëmarrjen e barabartë të grave dhe vajzave, po nuk patëm gra dhe vajza, pjesë e cilitdo proces, nuk ka ndryshime në shoqëri”, tha ajo.

Ajo tha se gjenden në një proces shume të rëndësishëm zgjedhor, i cili përcakton proceset e mëtejme.

Sipas saj, është shumë e rëndësishme që të gjitha qendrat të angazhohen bashkërisht, në mënyrë që të mbledhin të gjithë kapacitetin intelektual që kanë.

Nënkryetarja e dytë e Vetëvendosjes, Fatmire Kollçaku, para femrave të LVV-së, tha se kjo gjini është gjysma e popullatës, andaj nuk duhet mjaftuar me sukseset që arrihen por të vazhdohet tutje me më shumë angazhim.

“Ne kemi përfaqësim në të gjitha nivelet organizative, por shtrohet pyetja, a duhet të jemi të kënaqura, a është kjo e mjaftueshme. Kombet e Bashkuara e kanë vënë një synim para vetës, që në vitin 2030, ta kemi atë 50-50 përqindëshin e përfaqësimit të grave në të gjitha nivelet politike. Pse 50-50, sepse e meritojmë, ne jemi gjysma e popullatës, ne nuk guxojmë në asnjë moment të kënaqemi në atë që kemi arritur. Vetëm atëherë kur ne e zëmë vendim meritor në shoqëri, ne mund të themi tani misioni jonë është kryer, dhe ne ndoshta do t’i kthehemi profesioneve tona dhe jetës sonë”, tha ajo.

Tubimi mobilizues për zgjedhjet e brendshme, i Lëvizjes Vetëvendosje, u bë me femrat anëtaretë këtij subjekti./Telegrafi/

Exit mobile version