Boiken Abazi, sekretar për Marrëdhënie me Jashtë në një prononcim për Telegrafin ka thënë janë duke i dërguar të gjitha ftesat për tryezën e titulluar “Zgjidhja përmes zgjedhjeve”, që do të mbahet ditën e premte në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Abazi tha se ftesat janë duke u dërguar nga sekretariati për Marrëdhënie me Jashtë i LVV-së, për të gjitha subjektet politike në Republikën e Kosovës.
“Ftesat për tryezën e titulluar “Zgjidhja përmes zgjedhjeve”, që mbahet ditën e premte në Kuvend, janë duke u dërguar nga Sekretariati për Marrëdhënie me
Jashtë i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, te subjektet politike në Republikë të Kosovës që e njohin pavarësinë e shtetit të Kosovës. Pra, ftesat po i dërgohen subjekteve politike të opozitës dhe pozitës, brenda dhe jashtë parlamentit, përfshirë këtu përfaqësues të ndryshëm politikë të pakicave kombëtare. Me këtë rast, ftesa tashmë i është dërguar të gjitha Grupeve Parlamentare në Kuvend që e njohin pavarësinë e Kosovës”, ka thënë Abazi.
Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së Memli Krasniqi, Telegrafit i ka thënë se e kanë pranuar ftesën zyrtare nga Lëvizja Vetëvendosje dhe se janë duke e shqyrtuar se a do të marrin pjesë apo jo.
Ndërsa, parti tjera politike si opozitë dhe pozitë kanë deklaruar në media se do të marrin pjesë në këtë tryezë të thirrur nga LVV.
Ndryshe, kjo tryezë mbahet me synim arritjen e konsensusit për realizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Republikën e Kosovës, si zgjidhje
demokratike, që do të mundësonte krijimin e një qeverisjeje legjitime të shumicës, për të çuar përpara proceset e domosdoshme politike dhe ekonomike. /Telegrafi/