Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri nga LDK-ja pritet që gjatë ditës së nesërme ta bëjë publik ekzekutivin e ri të komunës, që do të përbëhet nga AAK, dhe AKR.
Haziri ka thënë se ka dashur që edhe Vetëvendosje e PDK të jenë pjesë e kabinetit të tij, mirëpo këto dy subjekte kanë refuzuar.
“Unë kam dashur që edhe LVV e PDK të jenë pjesë e qeverisjes, por këto dy subjekte nuk kanë pranuar të jenë në ekzekutiv dhe kanë vendosur të mbeten në opozitë”, ka thënë Haziri.
Komuna e Gjilanit përmes një kumtese për media ka njoftuar ekzekutivi, përveç LDK-së, do të përbëhet edhe nga AAK, AKR, komunitetet, duke i dhënë po ashtu mundësi edhe Nismës.
“Ndërkaq, sa i përket formimit të qeverisjes komunale, në bazë të rezultateve të zgjedhjeve lokale, kryetari Haziri ka paralajmëruar se nesër do ta bëjë publik vendimin e tij, duke thënë se ekzekutivi i ri do të jetë i përbërë nga LDK-AAK-AKR dhe komunitetet, ndërkohë që kjo mundësi i është lënë edhe subjektit Nisma, me të cilën po ashtu janë zhvilluar besime, që deri nesër në ora 11:00 t`i dërgojë propozimet e veta, nëse dëshiron të jetë pjesë e këtij koalicioni. Pjesë e kësaj qeverisje do të jetë edhe shoqëria civile, e cila do të udhëheq sektorë të rëndësishëm”, ka thënë Haziri.
Ndërkohë, PDK e LVV e kanë lëshuar seancën e Kuvendit, për shkak të, siç kanë thënë Riza Abdyli e Nevzad Isufi, shefa të grupeve të këshilltarëve të këtyre dy subjekteve, vonesave në formimin e qeverisjes komunale si dhe themelimin e komiteteve.
Kuvendi komunal ndër tjerash në këtë mbledhje ka miratuar raportin financiar për periudhën janar-mars 2018, iniciativën e kryetarit të Komunës për bashkëpunim me Komunën Sioux City në Ajova (SHBA), vendimin për ndarjen e bursave për studentë të dalluar të komunës së Gjilanit si dhe njëkohësisht ka formuar komisionin për ndarjen e këtyre bursave, pastaj vendimin për caktimin e lartësisë së kompensimit për anëtarët e komisionit statutar dhe akte tjera normative, ndërkaq raportin financiar të manifestimit “Flaka e Janarit” 2018 e ka thyer për plotësim.
Kryetari Haziri ka thënë se në stadiumin e qytetit është duke u kryer faza e parë e projektit, në vlerë 3.2 milionë euro dhe atje po punohet kujdesshëm për të mos e penguar rrjedhën e kampionatit. Sa i përket rinovimit të Shtëpisë së Kulturës në Përlepnicë, ai ka sqaruar se vonesa ka ndodhur për shkak se projekti ishte nën hetime, duke shtuar se shumë shpejt do të vazhdojnë punimet, për t`ia dhënë pastaj statusin që meriton këtij objekti të kulturës.
Sa i përket një konkursi në arsim, kryetari Haziri ka thënë se procedurat janë në fazën e përmbylljes dhe shumë shpejt do të shpallen rezultatet, ndërkaq një konkurs tjetër ishte anuluar për shkak se nuk janë paraqitur mjaftueshëm kandidatë profesionalë. Sipas kryetarit Haziri, shujta për nxënës pritet të fillojë në vitin shkollor 2018/2019. /kp/Telegrafi/