Telegrafi

Vulin: Nuk ka forcë që na detyron ta pranojmë Ushtrinë e Kosovës

Ministri i Mbrojtjes në Qeverinë e Serbisë, Aleksandar Vulin, ka thënë se Lista Serbe nuk do të lejojë formimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.

Ai ka thënë se askush nuk mund ta bind Qeverinë e Serbisë që të pranojë formimin e Ushtrisë së Kosovës.

Vulin i ka thënë gazetës “Politika” se “nuk ekziston dikush që mund të na bind dhe shtyjë që të pranojmë që ushtria e Kosovës të ekzistojë në territorin e ‘krahinës’”, transmeton Telegrafi.

“Nuk mund të ketë ndonjë organizatë, apo ndonjë fuqi, nuk mund të ketë një presion të tillë politik për shkak të cilit do të pranonim që të formohet forcë e armatosur në territorin tonë, forcë e armatosur që do të ishte nën komandën e huaj, forcë e armatosur që do ta kërcënonte edhe Serbinë qendrore e në fund të fundit edhe vetë serbët në ‘Kosovë e Metohi’”, tha Vulin.

Gazeta citon presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ka deklaruar se Forcat e Armatosura të Kosovës do të formohen deri në fund të këtij viti në partneritet me SHBA-të, NATO-n dhe BE-në. /Telegrafi/