Site icon Telegrafi

Vuçiq vazhdon t’i ‘vajtojë’ bombardimet e NATO-s në Serbi, i quan perëndimorët zuzar

Vuçiq

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, duke kujtuar bombardimet e NATO-s, ka thënë se liderët perëndimorë janë “zuzar”.

Profesori dhe analisti politik, Ivan Vujaçiq vlerëson se retorika e Vuçiqit se perëndimorët janë “zuzar”, është e shëmtuar dhe nuk kontribuon për asgjë të mirë.

Ai ka argumentuar se këto deklarata Vuçiq i përdor vetëm për nacionalistët serbë.

“Nëse të gjithë janë zuzar, lind pyetja – pse norvegjezët menaxhojnë EPS-në, pse amerikanët duhet të ndërtojnë Shtabin e Përgjithshëm, pse Franca merr një aeroport e kështu me radhë… Pse po shkojmë në BE nëse ka kaq shumë zuzar atje. Është retorikë për përdorim të brendshëm, por është e shëmtuar dhe njerëzit do ta mbajnë mend. Kjo nuk do të çojë në një marrëdhënie më të mirë me të”, tha ai.

Dhe ajo që është interesante, thotë Vujaçiq, emri i ish-kancelarit gjerman Gerhard Schröder nuk përmendet më në emrat e “zuzarëve” që morën pjesë në bombardimet e NATO-s.

Lexo po ashtu Beogradi në flakë, Cvijiq: Bombardimi i NATO-s ishte kulmi tragjik i politikës vetëvrasëse të Sllobodan Millosheviqit

Gjykata në Beograd në vitin 2000 kishte ‘dënuar’ 14 politikanë të lartë perëndimorë dhe liderë të NATO-s me 20 vjet burgim, duke përfshirë Bill Clinton, Jacques Chirac, Gerhard Schröder, Tony Blair, Madeleine Albright, William Cohen.

Megjithatë, së fundi, Vuçiq ka ndryshuar qasje për Schröderin. Presdenti serb përdor tone të buta ndaj tij, duke justifikuar veprimtarinë e Gerhard Schröder.

Por, ka një arsye. Ish-kancelari gjerman, është raportuar nga mediat prestigjioze se ka lidhje me qeverinë ruse.

Në një intervistë të fundit për New York Times, Schröder  agresionin në Ukrainë e quajti një gabim, por nuk u distancua nga presidenti rus Vladimir Putin.

“Fakti që ne duhet të diskutojmë seriozisht sanksionet kundër një ish-kancelari që është bërë lobist rus i energjisë flet shumë për faktin se sa tragjik është rasti i Schroderit”, kishte thënë Roth, kryetar i komitetit të politikës së jashtme të parlamentit gjerman.

Po ashtu, Vuçiq mbron edhe ish-presidentin amerikan, Donald Trump. Por ka arsye edhe këtu – është në pyetje aspekti biznesor. Do t’ia shesë dhëndrit të Trumpit ndërtesën e ish – Shtabit të Përgjithshëm e cili u shkatërrua nga bombardimet e NATO-s gjatë 1999-ës.

Përkundër këtyre veprimeve, perëndimi vazhdon ta “ledhatojë, Vuçiqin./Telegrafi/

Exit mobile version