Site icon Telegrafi

Vuçiq i quan “përrallë” kushtet e Kurtit për themelimin e Asociacionit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vendosur gjashtë kushte për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe – mes tjerash tha se “ Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës”.

Kushtet e Kurtit i ka komentuar menjëherë presidenti i Serbisë, Vuçiq.

Ai i ka cilësuar “përrallë” kushtet e kryeministrit të Kosovës për formimin e Asociacionit.

Në një seancë të Kuvendit të Serbisë, gjatë diskutimeve për Kosovën, Vuçiq ka thënë se Kurti në fakt “nuk do të formojë Asociacionin”.

Lexo po ashtu Kurti tregon gjashtë kushtet për formimin e Asociacionit

Kryeministri i Kosovës, gjatë një seance të Kuvendit të Kosovës, ka numëruar gjashtë kushtet që duhet të përmbushen për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ai tha se “Asociacioni të bëhet në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet në fuqi; Asociacioni nuk mund të jetë monoetnik, duhet të ndërrojë emrin, nuk mund të ketë/bartë asnjë pushtet publik (apo ekzekutiv) dhe duhet t’i shërbejë vetëm bashkëpunimit horizontal të komunave sipas Kushtetutës dhe ligjit për vetëqeverisje lokale (kreu 5); Të drejtat e pakicave kombëtare duhet ta ngërthejnë parimin e reciprocitetit ndërmjet dy shteteve si dhe të marrin parasysh standardet dhe modelet evropiane; Para vendosjes së Asociacionit, strukturat ilegale në veri të shuhen dhe bëhet dorëzimi i të gjitha armëve ilegale; Asociacioni është pjesë e marrëveshjes finale dhe zbatohet pas njohjes reciproke dhe pasi Serbia t’i ketë pranuar parimet e kartës së OKB-së në raport me Kosovën; Presidenti i Serbisë i tërheq letrat e dërguara te pesë (dhe tek të tjera) shtetet anëtare të BE-së për mospranimin e aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në BE, që paraqet edhe shkelje të po asaj marrëveshjeje Thaçi-Daçiq të 19 prillit 2013”.

Përkitazi me kushtet e Kurtit ka reaguar edhe opozita në Kuvendin e Kosovës, ndonëse kryeministri ka thënë se krerët opozitarë kanë qenë në dijeni për to. /Telegrafi/

Exit mobile version