Site icon Telegrafi

Vuçiq i quan kërcënime deklaratat e Kurtit për reciprocitet, thotë se nxjerrën më të mirën e mundshme nga marrëveshja

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq i ka quajtur kërcënime deklaratat e kryeministrit Albin Kurti, i cili për BBC tha se shpreson që deri më 1 tetor të mos ketë dokumente që nuk janë legjitime, pos atyre të njohura si RKS apo Republika e Kosovës.

Vuçiq siç raportojnë mediat serbe ka deklaruar se deklaratat e Kurtit paraqesin kërcënim të ri për Serbinë.

“Albin Kurti tha sot se pret që deri në tetor të mos ketë më targa të pavlefshme në Kosovë. Kjo do të thotë se ai dëshiron konflikte dhe probleme të vazhdueshme”, u shpreh Vuçiq.

Presidenti serb u tha gazetarëve se më 27 gusht se Serbia ka arritur të nxjerrë më të mirën e mundshme nga marrëveshja me Prishtinën, duke shtuar se marrëveshja për dokumentet është një ujdi verbale.

Lexo po ashtu Kurti për BBC: Bisedimet në Bruksel s'kanë qenë të lehta, reciprociteti për targat nuk do të bëhet kundër serbëve

Ai theksoi se marrëveshja për dokumentet e hyrje-daljes është verbale sepse është marrëveshje e nënshkruar më 2011, në kuadër të dialogut në Bruksel.

“[Për shkak se marrëveshje veç është e nënshkruar] Nuk ishte e vështirë, ishte e lehtë për të gjithë”, tha Vuçiq.

Bashkimi Evropian njoftoi më 27 gusht se Kosova dhe Serbia kishin arritur marrëveshje për eliminimin e lëshimit të dokumenteve për hyrje-dalje.

Kjo marrëveshje nënkupton se qytetarët e Serbisë dhe ata të Kosovës, do të mund të kalojnë kufirin me kartat e tyre të identitetit, pa pasur nevojë që të pajisen me një letër shtesë të hyrje-daljes. Këtë praktikë Serbia e kishte aplikuar qe 11 vjet, ndërkaq Kosova lëshoi dokumente të tilla për disa orë gjatë 1 gushtit.

Lexo po ashtu Kurti sqaron marrëveshjen: Qytetarët e Kosovës do të kalojnë pa pengesa e ngarkesa kufirin me Serbinë

Ndërkaq, më 1 shtator pritet të hyjë në fuqi vendimi i Qeverisë së Kosovës për targat e makinave. Ky vendim konsiston në riregjistrimin e makinave që përdorin targa të lëshuara nga Serbia. /Telegrafi/

Exit mobile version