Telegrafi

Vuçiq i përgjigjet Kurtit për 11 kryetarët joserbë të komunave në Serbi

Kryeministri Albin Kurti, të enjten ka deklaruar se në Serbi, kryetarët e 11 komunave janë të kombësive të ndryshme dhe se shteti serb nuk po krijon një Asociacion, ashtu siç po ia kërkon Kosovës.

“Minoritete në Serbi zyrtarisht llogariten 21 sosh: kroatët, bunjevcët, bullgarët, boshnjakët, shqiptarët, hungarezët, romët, rumunët, rusinët, sllovakët, ukrainsët, lidhja hebreje, ashkalinjët, vllehët, grekët, egjiptianët, gjermanët, sllovenët, çekët, maqedonët, malazezët”.

“11 komuna në Serbi udhëhiqen nga kryetarë joserbë. Asociacione një-etnike komunash do të mund të formonin hungarezët, boshnjakët, shqiptarët dhe bullgarët. Pse Serbia nuk ua mundëson këtë, përderisa e kërkon një gjë të tillë në Kosovë?”, ka thënë Kurti.

Ndaj kësaj deklarate ka reaguar presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

Lexo po ashtu Kurti pyet pse Serbia nuk lejon Asociacione një-etnike: Atje jetojnë 21 minoritete

Vuçiq ka thënë se kryeministri kosovar nuk ka çfarë të diskutojë për shtetin serb, pasi nuk është e njëjta gjë.

“Kurti dëshiron të identifikojë statusin shtetëror-juridik të Serbisë dhe të asaj që ai e quan Republikë të Kosovës, por ne jemi duke biseduar pikërisht pasi nuk është e njëjta gjë. Ai nuk ka çfarë të diskutojë për Serbinë qendrore, ne kemi një temë që po diskutojmë dhe kjo është e vetmja temë në tavolinë”.

“Por, kur dikush mendon se ka të drejtë të bëhet arrogant, sepse ka shefat e mëdhenj dhe të fuqishëm. Këto nuk ndezin tek unë dhe me asnjë tjetër që është serioz në punën e vetë”, ka thënë Vuçiq./Telegrafi/