Telegrafi

Vuçiq para bisedimeve në Uashington: Nuk do të jetë takim i lehtë, por Serbia nuk e ka në opsion dorëzimin

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dërgoi një mesazh nga Uashingtoni, ku do të vazhdojnë negociatat me Kosovën.

Në një video të publikuar në llogarinë personale në Instagram, “Buducnostsrbijeav” tha se brenda disa minutave do të nis një takim i rëndësishëm me delegacionin e Prishtinës, transmeton Telegrafi.

“Nuk do të jetë një takim i lehtë për ne, por jemi të gatshëm dhe do të bëjmë më të mirën për të arritur një kompromis rreth çështjeve të rëndësishme ekonomike. Ne duam paqe, duam stabilitet, duam përparimin e Beogradit, Prishtinës, të gjithë rajonit tonë. Ne do të duhet të kujdesemi për njerëzit tanë në Kosovë”, tha ai.

Vuçiq shtoi se ka lexuar deklaratat e shumta arrogante të zyrtarëve shqiptarë nga Kosova, të cilët flisnin për njohjen e Kosovës.

“Mesazhi im për të gjithë është – dorëzimi nuk është një opsion, rroftë Serbia”, tha ai.

Lexo po ashtu Hoti para takimit në Uashington: Me Serbinë flasim vetëm për njohje reciproke

Takimi i delegacioneve të Beogradit dhe Prishtinës me të dërguarin special të presidentit amerikan për negociata, Richard Grenell, filloi në Shtëpinë e Bardhë rreth orës 16:00 të kohës së Evropës Qendrore.

Më vonë gjatë ditës, të dy delegacionet pritet të takohen me Howard Korah, drejtorin ekzekutiv të këshillit amerikano-izraelit. /Telegrafi/