Site icon Telegrafi

Vuçiq e nominon Brnabiqin për kryeministre të Serbisë

Presidenti i Serbisë dhe Partia Përparimtare Serbe, Aleksandar Vuçiq, njoftoi se kryeministre do të mbetet Ana Brnabiq.

Qeveria e re do të përballet me tre përparësi – forcimin e fuqisë ekonomike, ushtarake dhe shëndetësore.

“Duhet të theksoj se kemi pasur disa kandidatë për kryeministër. Falënderova disa kandidatë, të cilët ishin punëtorë dhe besnikë. Disa minuta më parë, unë nënshkrova vendimin për të nominuar Ana Brnabiqin për kryeministre”, tha Vuçiq.

Ajo ndoqi një politikë të disiplinuar dhe të përgjegjshme, ajo nuk i bëri lajka qendrave të huaja të pushtetit ose askujt në vend, shtoi presidenti serb. Vuçiq gjithashtu konfirmoi se 50 për qind e anëtarëve të qeverisë do të jenë gra.

Ndryshe, Brnabiq ka qenë kryeministre e Republikës së Serbisë që nga 29 qershori i vitit 2017 gjersa më parë ka qenë ministre e administratës shtetërore dhe vetëqeverisjes lokale.

Ajo ka lindur në Beograd ndërsa ka diplomuar në Universitetin Hall të Mbretërisë së Bashkuar dhe mbi dhjetë vjet ka punuar në organizata ndërkombëtare, investitorë të huaj, qeveri lokale dhe sektorin publik në Serbi. /Telegrafi/

Exit mobile version