Site icon Telegrafi

Vuçiq në konferencë me O’Brienin: Nuk na shkon mendja për luftë me Kosovën

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka hedhur poshtë deklarimet se “vendi i tij po përgatitet për sulm ndaj Kosovës”.

Ai në një konferencë për media sot në Beograd me ndihmës Sekretarin e Byrosë për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike të Departamentit të Shtetit, James O’Brien, ka deklaruar se “deklarimet për qëllimin e Serbisë për pushtim dhe luftë janë gënjeshtra”.

“Nuk na shkon mendja të marrim pjesë në diçka të tillë, kemi bashkëpunim të mirë me KFOR-in dhe komandantin e KFOR-it, Ozkan Ulutash”, tha Vuçiq.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dje ka akuzuar Serbinë për ushtrimet ushtarake në Peshter të Sanxhakut, duke thënë se është faktori kryesor i përpjekjeve për destabilizimin e Ballkanit Perëndimor dhe se këto ushtrime janë dëshmi e kësaj.

Kurti tha se këto ushtrime po mbahen 30 kilometra larg kufirit me Kosovën dhe tri kilometra larg kufirit me Malin e Zi dhe se si të tilla janë destabilizuese për rajonin.

Përveç tjerash, duke ironizuar Kurti tha se këto ushtrime paraqesin gjithashtu edhe ndotjen më të madhe të ajrit e tokës në Sanxhak.

Ndërsa ministri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci ka thënë se vendosja e trupave ushtarake serbe përreth kufirit me Kosovën përbën kërcënimin të vazhdueshëm për stabilitetin e Ballkanit, gjë e cila duhet të trajtohet me seriozitet lëvizjet e tilla të Serbisë edhe nga ana e NATO-s.

Exit mobile version