Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq pritet të ketë një bisedë telefonike me kancelaren gjermane, Angela Merkel.
Siç njofton ai, temë kryesore do të jenë takimet në Washington dhe Bruksel.
Sipas medieve serbe, përcjell Telegrafi, Vuçiq ka pohuar se do të diskutonte çështje të ndryshme me Merkel, përfshirë vaksinën anti-COVID-19.
Po ashtu, Vuçiq njofton se do ketë edhe një takim me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
Takimi i javës së kaluar në Bruksel, i cili u zhvillua në nivel të ekspertëve, në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, i ka paraprirë takimit të 4 shtatorit që do të mbahet në Washington.
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga BE-ja, rifilloi më 16 korrik, pasi ishte ndërprerë në fund të vitit 2018, kur Qeveria e Kosovës vendosi taksën ndaj mallrave serbe. /Telegrafi/