Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka thënë sot se sulmuesit e policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit nuk janë terroristë.
“Për mua, si president i Serbisë, ata njerëz nuk mund të jenë terroristë. A mund ta justifikoj vrasjen e një polici… Nuk ka asnjë arsyetim dhe për këtë, autoritetet shtetërore serbe do të ndërmarrin hapa”, tha Vuçiq për Radiotelevizionin Serb.
Siç raportojnë mediat, Vuçiq po ashtu tha se tani ka shumë më tepër informacione sesa në ditën e sulmit, kur për herë të parë iu drejtua publikut në Serbi.
“Ne do t’u kërkojmë atyre të na tregojnë pamjet me dron se si u vra polici. Vrasja nuk ishte e planifikuar”, tha ai, transmeton Telegrafi.
Ai ka thënë se Serbia sot ka shpallur Ditë të Zisë për të gjithë serbët e vrarë, si dhe për policin e Kosovës në veri të Kosovës.
“Serbia vendosi për shkak të ngjarjeve tragjike në Kosovë, për shkak të vdekjes së të gjithë njerëzve. Nga pikëpamja e Kushtetutës së vendit tonë, të gjithë janë qytetarë të vendit tonë. Serbia ka ditë zie për tre serbët e vrarë dhe policin e vrarë. Mendoj se është një vendim i civilizuar dhe serioz”, tha Vuçiq.
Vuçiq i është përgjigjur edhe deklaratës së kryeministrit shqiptar Edi Rama se Dita e Zisë është “sinjali më i keq që mund të dërgojë Serbia”, duke thënë se Rama nuk po thotë të vërtetën.
“Është e vërtetë se komunat serbe në veri të Kosovës kanë shpallur zi vetëm për serbët e vrarë. Ne e kemi shpallur për të gjithë. Nuk është hera e parë që Rama nuk e thotë të vërtetën”, tha Vuçiq. /Telegrafi/