Site icon Telegrafi

Vuçiq kushtëzon vazhdimin e dialogut me heqjen e taksës dhe mos ndërrimin e statutit të Trepçës

Pas kushtëzimit të dialogut me heqjen e taksës, shteti serb vazhdon të zgjerojë apetitet me kushtëzime ndaj Kosovës.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se ngecja aktuale e dialogut mund të tejkalohet vetëm kur Prishtina ta heq taksën 100 për qind për mallrat nga Serbia.

Sipas tij, dialogu mund të vazhdojë kur Prishtina siç tha ai të ndalë provokimet, e në veçanti tentimit për t’ia ndërruar statutin Trepçës që vlerëson se është rrëmbim i pronës serbe, transmeton Telegrafi.

Në komunikatën e lëshuar për media pas takimit me ambasadorin e Britanisë së Madhe në Beograd, Denis Kiff, Vuçiq, ka thënë se Serbia gjithmonë do të jetë e përkushtuar për paqe dhe stabilitet në rajon.

Lexo po ashtu Kuvendi miraton Statutin e Trepçës

Presidenti serb ka falënderuar Kiff për përkrahjen që vendi i tij i ka dhënë Serbisë, si dhe ka folur për dëmet që i janë shkaktuar Serbisë nga taksa e vënë njëanshëm nga Prishtina, për mallrat serbe që sipas tij rrezikon edhe dialogun në Bruksel.

Ndryshe, Kuvendi i Kosovës të shtunën ka miratuar statutin e kombinatit Trepça, ku 80 deputetë votuan pro, 2 ishin kundër, ndërsa 3 abstenuan. Lidhur me këtë kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, ka thënë se me votimin e statutit të “Trepçës” është zgjuar gjiganti kosovar.

Exit mobile version