Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të marrë pjesë në konferencën dyditore për siguri në Mynhen të Gjermanisë, ku do të zhvillojë takime bilaterale më zyrtarë të huaj, ku ndër ta do të jetë edhe i dërguari i posaçëm për bisedimet Kosovë-Serbi i presidentit amerikan Donald Trump, Richard Grenell.
Para nisjes për në Gjermani, Vuçiq ka theksuar se pas takimeve do ta ketë më të lehtë të vlerësohen hapat e mëtutjeshëm të qeverisë së Kosovës, Gjermanisë, SHBA-ve dhe përfaqësuesve tjerë të bashkësisë ndërkombëtare, transmeton Telegrafi.
Sipas tij në Mynhen do të merr pjesë në dy apo tre panele, si dhe pritet të ketë takime me 23 deputetë gjermanë, senatorë amerikanë, kongresistë dhe president të qeverive.
“Fillimisht më pret takimi me Richard Grenellin, nënshkrimin e marrëveshjes për linjën hekurudhore, nëse për një gjë të tillë arrijmë të dakordohemi deri në fund. Do të duhej të kalonte përmes Merdares, Kurshumli-Merdare-Prishtinë, që është shumë e rëndësishme për popullin tonë që jeton në Graçanicë dhe në tërë Kosovën”, ka shtuar Vuçiq.
Ndërkaq i pyetur se çfarë pret nga takimi me Grenellin, Vuçiq tha se ai është një njeri me energji të madhe, entuziast dhe shumë ambicioz.
“Çfarë do të ketë, do të shohim, sigurisht se në panelin e përbashkët në Mynhen do të jetë i pranishëm edhe Albin Kurti, pra do të shohim çfarë atmosfere do të jetë”, shtoi Vuçiq. /Telegrafi/