Ballinat e mediave serbe, që funksionojnë nën urdhrat e presidentit serb Aleksandër Vuçiq u mbushën me mbishkrime se autoritetet e atij vendi kanë prova se Florim Ejupi qëndronte prapa vrasjes së Oliver Ivanoviq.
Siç kanë shkruar mediat serbe, Vuciq ka kërkuar nga Shqipëria që të ju japin disa video nga aeroporti i Tiranës, ku sipas pretendimit të presidentit serb ka dëshmi për atë se çka ka bërë Ejupi.
“Pyes pse nuk po na i japin videot nga Aeroporti i Tiranës, Rinasi? pse nuk mund të gjejmë dëshmi se çfarë ka bërë Florim Ejupi, i cili është nën vëzhgim në Gjermani dhe çfarë ka bërë ai në Aeroportin e Tiranës…”, kishte deklaruar Vuçiq.
Vet Florim Ejupi këtyre akuzave iu është përgjigjur në “Debat Plus” në RTV Dukagjini.
“I falënderohem Zotit dhe shtetit ku jam që nuk merren me deklarata koti. Shteti gjerman e di ku kam qenë në atë kohë. Ata e dinë mirë që kam qenë në shkollë. Edhe kësaj radhe edhe herëve tjera, Vuçiqi dhe udbashat tjerë ia kanë futur”, ka thënë Ejupi, përcjell Telegrafi.
Ejupi thotë se po të gjendej në Kosovë është e mundur që edhe vrasja e Oliver Ivanoviqit t’i atribuohej atij./Telegrafi/